Trump përuron një tjetër hotel, Clinton në fushatë në Florida

Amerika

Trump përuron një tjetër hotel, Clinton në fushatë në Florida

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 18:07
Donald Trump

Donald Trump i ofroi vetes një shkëputje të vogël nga angazhimi i tij në fushatën presidenciale amerikane për inaugurimin e hotelit më të ri në Uashington në pronësi të tij, ndërsa Hillary Clinton vijon të bëjë fushatë në Florida, një shtet që mund t’i hapë dyert e Shtëpisë së Bardhë.

Dje, biznesmeni republikan bëri një ndalesë në vijim të fushatës, në një nga pistat e tij të golfit në Florida.

Ndërsa sot ishte i pranishëm në Uashington, një qytet masivisht me bindje demokrate, duke ngjallur më tepër habinë e një komentuesi, pasi Donald Trump nuk ka një minutë për të humbur nëse dëshiron të përpiqet të rekuperojë distancën në sondazhe, vetëm 13 ditë nga organizimi i zgjedhjeve.

“Është një ndalesë e shkurtër”, vlerësoi drejtoresha e fushatës së tij, Kellyanne Conway, që vuri në dukje se prej dy ditë e gjysmë, Donald Trump kishte bërë fushatë pa pushim në Florida, duke shënuar në të gjithë territorin e këtij shteti 12 evenimente.

”Ai pritet të udhëtojë sot pasdite drejt Karolinës së Veriut, një tjetër shtet kyç, më pas të enjten në Ohajo, përpara vizitës në New Hampshire dhe Maine”, shtoi ajo.

Conway theksoi gjithashtu për CBS se hoteli në Uashington me një kapacitet 263 shtretër në zemër të kryeqytetit amerikan u përfundua me një vlerë nën koston e parashikuar dhe përpara afatit.

”Ai i rikujtoi Amerikës se ai i riparon dhe i ndërton gjërat”, theksoi ajo, një deklaratë e përsëritur gjithashtu edhe nga djali i Trump, Erik në televizionin Fox.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat