FBI e gjen veten në mes të debateve politike

Amerika

FBI e gjen veten në mes të debateve politike

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 16:42
Drejtori FBI

Dje, FBI-ja nxorri dokumenta shtesë nga një hetim i mbyllur i para 15 vjetëve lidhur me faljen presidenciale të një dhuruesi fondesh për demokratët nga ana e Presidentit Bill Clinton.

Dokumentat bëhen publike vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale dhe vetëm disa ditë pasi agjencia njoftoi se do të vazhdonte të hetonte emailet e kandidates demokrate, Hillary Clinton, një lëvizje që shkaktoi kritika nga demokratët dhe vlerësim nga kandidati republikan Donald Trump.

Dokumentat e reja përmbajnë 129 faqe me materiale që janë gjerësisht të redaktuara lidhur me amnistinë e Presidentit Clinton për Marc Rich-in, në ditën e fundit në detyrë.. Rich iku nga Amerika për në Zvicër, pak pasi ndaj tij u ngrit padi për akuza lidhur me taksat federale dhe jetoi atje në fshehtësi për disa vjet. Para se t’i falej padia, ai ishte në listën e FBI-së për më të kërkuarit dhe në qendër të rastit më masiv të shmangies së taksave në historinë amerikane.

Debati rreth amnistisë përqendrohet tek dhurimet që kishte bërë ish-bashkëshortja e zotit Rich, Denise Rich, një shumë prej 450,000 dollarësh dhe për fushatën e zonjës Clinton për senat, një shumë prej 100,000 dollarësh.

Zëdhënësi i fushatës së zonjës Clinton, Brian Fallon hodhi dyshime për momentin e vendimit të FBI-s për të botuar dokumentat tani, kaq pranë zgjedhjeve.

"Nëse nuk ka një afat në bazë të Ligjit për Lirinë e Informacionit, kjo është e çuditshme”, shkruante Fallon në Twitter. "A do të publikojë FBI-ja dokumenta për diskriminimet që ka bërë familja Trump për strehimin në vitet `70?"

Pjesa e dytë e mesazhit të zëdhënësit Fallon në Twitter, i referohej një akt-padie federale për strehim kundër zotit Trump, ku ai dhe i ati Fred Trump akuzoheshin për diskriminim ndaj qiraxhinjve të mundshëm bazuar tek raca. Për çështjen u arrit marrëveshje jashtë sallës së gjyqit dhe zoti Trump nuk e pranoi kurrë fajësinë.

Në një deklaratë, FBI-ja tha se dokumentat u bënë publike automatikisht në dhomën e leximit elektronike të agjencisë në përputhje me ligjin. Nëse më shumë se tre vetë kërkojnë dokumenta nga FBI-ja, agjencia ka një praktikë që i vë në dispozicion ato dokumenta në internet.

Megjithëse nuk doli ndonjë informacion i ri në dokumenta, ato gjithsesi ka mundësi t’I japin material zotit Trump.

Ai po e përdor njoftimin e drejtorit të FBI-së, James Comey se agjentët po rishikojnë emaile të rinj nga koha kur zonja Clinton ishte Sekretare Shteti, si argument se rivales sp tij i mungon sinqeriteti dhe nuk mund t’I besosh.

Zonja Clinton, që ka thënë se njoftimi i zotit Comey kaq pranë zgjedhjeve të 8 nëntorit, ishte “indinjues”, iu shmang kësaj çështjeje të martën në Florida, ku tha se komentet e zotit Trump për gratë ishin “poshtëruese, degraduese dhe fyese”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat