Albright: Trump të mos na izolojë, të përshtatet me politikat e SHBA

Amerika

Albright: Trump të mos na izolojë, të përshtatet me politikat e SHBA

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 23:08
Madeleine Albright

Presidenca e re e Shteteve të Bashkuara ka një impakt global, pasi shumë vende të botës i lidh interesi me shtetin më të fuqishëm të botës. Të gjitha deklaratat që ka dhënë gjatë fushatës, duket se po i kthehen si “boomerang” Donald Trumpit.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka paralajmëruar miliarderin që të tregohet i kujdesshëm dhe të mos izolojë kombin amerikan. Shtetet e Bashkuara - tha 79-vjeçarja - duhet të luajnë rolin kyç që kanë pasur gjithmonë në organizata të rëndësishme, sikurse NATO.

Për Albright, NATO padyshim është çelësi ku të gjithë kanë përgjegjësi për njëri-tjetrin. Komentet e ish-Sekretares së Shtetit vijnë pasi republikani, në muajin qershor dha një deklaratë të bujshme. Ai tha se SHBA-të me shumë gjasë mund të mos mbrojnë aleatët e tyre, nëse këta të fundit nuk përmbushin detyrimet e tyre, jetike sipas Trump.

“Ne kemi shumë anëtarë të NATO-s që nuk paguajnë detyrimet e tyre. Ne nuk mund të mbyllim një sy përpara këtij fakti. Detyra e tyre është të paguajnë dhe ata nuk po e bëjnë. Kjo është një gjë e madhe”, tha atëherë Donald Trump.

Europa është hutuar nga fitorja e Trumpit. Brukseli ka kërkuar takim urgjent me të, ndërsa kreu i aleancës atlantiko-veriore, Stoltenberg ofroi bashkëpunimin me Trumpin, edhe pse ai më herët hodhi baltë mbi aleancën.

Shumë priren të besojnë se këto kanë qenë deklarata të nxituara dhe se gjërat do të ndryshojnë. Albright shpreson që Trump të informohet mirë për çështjet, përpara se të përpiqet t’i ndryshojë ato. Ajo i kërkoi Trumpit që të përshtatet me politikat aktuale të Uashingtonit.

Duke paralajmëruar rrezikun e izolimit, ish-Sekretarja e Shtetit i kërkoi presidentit të ri të menaxhojë marrëdhëniet e Amerikës me Rusinë dhe Kinën, si dhe të respektojë marrëveshjen bërthamore shumëpalëshe me Iranin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat