Dalja e parë private si president, kështu u prit Trump në një restorant

Amerika

Dalja e parë private si president, kështu u prit Trump në një restorant

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 15:26
Presidenti Donald Trump në restorant

Hyrja e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në një restorant në Nju-Jork është pritur me duartrokitje.

Shefi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë u largua nga Kulla “Trump” për të darkuar me familjen të martën dhe menjëherë është ndjekur pas nga një mori gazetarësh dhe fotoreporterësh. Ai nuk ka lëshuar deklarata për shtyp.

Me të hyrë në restorant, Trump ka takuar pothuajse të gjithë klientët, të cilët janë ngritur në këmbë dhe e kanë duartrokitur e shoqëruar me ovacione fituesin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

“Ju bëftë mirë”, ka qenë urimi i Trump për njerëzit në restorant, ndërsa më pas ai ka kaluar mbrëmjen në shoqërinë e familjes.

Megjithatë nuk ka munguar edhe një komunikim me pronarin e restorantit, të cilit presidenti i zgjedhur i është drejtuar me fjalët: “Do t’i ulim taksat, mos kini merak për këtë”.

Restoranti “21 Club” në Nju-Jork është i njohur për gatimin e mishit dhe preferohej edhe nga presidenti Ford e bashkëshortja e tij, si dhe shumë njerëz të spektaklit, mes të cilëve Frenk Sinatra, përcjell Shekulli. Edhe vetë Trump ka organizuar në këtë restorant një nga festat e martesës me ish-bashkëshorten Ivana.

Çmimi i gatimeve të mishit në këtë restorant është rreth 70 dollarë, ndërsa menuja speciale e së martës përmbante mish qengji të mbushur me barishte për një çmim prej 125 dollarë. Disa muaj më parë, vetë Trump u tha gazetarëve se ai e preferonte mishin të pjekur fort.

Darka e Trump ka kapur në befasi edhe shtypin, i cili e ndjek tashmë minutë pas minute. Gazetarët u njoftuan gjatë pasdites së djeshme nga stafi i Trump se presidenti i zgjedhur nuk do të largohej nga Kulla, në mbrëmje dhe gjatë natës.

Megjithatë, pas 70 minutash, Trump i shoqëruar nga bashkëshortja, fëmijët dhe partnerët e tyre, morën automjetet dhe karvani i gjatë, i shoqëruar nga një ambulancë, u drejtua për nga restoranti i famshëm.

Fakti që Trump po darkonte në restorant u zbulua rastësisht nga një gazetar i “Bloomberg”, i cili ndodhej aty duke darkuar dhe fotografoi presidentin e zgjedhur teksa pritej me ovacione.

Grupi i gazetarëve, të cilët e ndjekin zakonisht Trumpin, tentoi më pas të shkonte te restoranti, por ata u bllokuan nga policia, për shkak të masave të sigurisë.

Në fund të darkës, Trump u fotografua teksa përshëndetej ngrohtësisht me familjarët e tij në dalje të restorantit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat