Trump thyen një tjetër precedent: Diplomatët politikë të dorëhiqen më 20 janar

Amerika

Trump thyen një tjetër precedent: Diplomatët politikë të dorëhiqen më 20 janar

Më: 6 janar 2017 Në ora: 11:14
Presidenti Barack Obama me ambasadorët amerikanë

Stafi i tranzicionit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një urdhër të përgjithshëm që kërkon largimin e ambasadorëve të emëruar politikisht që pas ditës së përurimit të kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë, duke shkelur kështu një precedent të vendosur prej disa dekadash me refuzimin qoftë edhe të një “sekonde” më shumë për ta.

Dekreti, i lëshuar “pa përjashtim” sipas një kabllogrami të Departamenti të Shtetit të dërguar më 23 dhjetor, kërcënon të lërë Shtetet e Bashkuara pa diplomatë të konfirmuar nga Senati për muaj të tërë në shtete të rëndësishme si Gjermania, Kanadaja dhe Britania. Në të kaluarën, administratat e të dyja partive janë treguar dorëlëshuar për zgjatjen e mandateve të një sërë ambasadorëve, pas shqyrtimit rast pas rasti, veçanërisht për ata me fëmijë në moshë shkollore, për të qëndruar në detyrë për javë apo edhe për muaj të tjerë.

Ndryshe nga e kaluara, Trump ka mbajtur një linjë të ashpër kundër tolerimit të të emëruarve politik të presidentit Obama, teksa përgatitet të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar, me një mision për të zhbërë shumë prej arritjeve në politikat e jashtme dhe të brendshme të paraardhësit të tij.

Ambasadorët “politikë”, shumica e të cilëve donatorë të rëndësishëm që janë emëruar për shkak të lidhjeve të ngushta me presidentin, thuajse gjithmonë largohen në fund të mandatit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, ndërkohë që ambasadorët që janë diplomatë karriere shpesh qëndrojnë në detyrë.

Një zyrtar i lartë i ekipit të tranzicionit të Trumpit tha se pas kësaj lëvizjeje nuk ka asnjë dashakeqësi, por e përshkruan atë si një çështje thjesht për t’u siguruar se të emëruarit e Obamës do të largohen nga qeveria në kohën e përcaktuar, ashtu siç duhet të bëjnë edhe mijëra ndihmës politikë në Shtëpinë e Bardhë apo agjencitë e tjera federale. Zyrtari, i cili ka folur në kushte anonimati mbi diskutimet e brendshme, tha se ambasadorët nuk duhet të habiten kur t’iu vijë data e fundit e detyrës.

Direktiva, gjithsesi ka tronditur disi jetët personale të shumë ambasadorëve, të cilët po përpiqen të sigurojnë marrëveshje dhe të sigurojnë viza, që do t’u lejonin atyre të mbeteshin në vendet ku veprojnë, në mënyrë që fëmijët të vijojnë shkollën, thonë më tej diplomatët që e kanë parë atë.

Ndër të prekurit e këtij dekreti janë ambasadori Stafford Fitzgerald Haney në Kosta Rika, Andreë H. Schapiro në Çeki; ambasadorja Denise Bauer në Belgjikë; si dhe Pamela Hamamoto, përfaqësuesja e përhershme në OKB.

Ndërkohë, në pritjen e lamtumirës në Shtëpinë e Bardhë që do të organizohet nga Obama mbrëmjen e së mërkurës për diplomatët jo të karrierës, shumica e të cilëve si për t’u ngushëlluar teksa do të diskutojnë sesi ta përballojnë këtë situatë të re. Disa shprehën ankth se Trump, bashkëshortja e të cilit, Melania, ka zgjedhur të qëndrojë në Nju Jok për të shmangur ndryshimin e shkollës në mes të vitit për djalin e tyre 10-vjeçar Barron, nuk do t’u sigurojë të tilla mundësi ambasadorëve amerikanë.

Departamenti i Shtetit informoi ndërkohë të gjithë ambasadorët e emëruar politikisht përmes një letre, një ditë pas zgjedhjeve të nëntorit, se duhej të dorëzonin dorëheqjet brenda 20 janarit. Ndërkohë që letra instruktonte se ata që dëshironin të kërkonin zgjatje të mandatit duhej të dorëzonin një kërkesë formale, ku të shpjegonin arsyet e tyre, përcjell TCh.

Presidentët e rinj nga të dyja partitë zakonisht kanë bërë përjashtime për t’i lejuar ambasadorët të mbyllnin çështjet personale dhe ato të rëndësishme diplomatike teksa ishin në proces konfirmimi, që merr muaj. Bill Clinton, George W. Bush dhe Obama kanë ofruar që të gjithë zgjatje mandatesh për disa prej ambasadorëve politikë të emëruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat