SHBA, ngricat mbyllin shkollat

Amerika

SHBA, ngricat mbyllin shkollat

Më: 6 janar 2017 Në ora: 15:11
Bora në SHBA

Stuhitë dimërore dhe reshjet rekord të dëborës kanë sjellë mbylljen e shkollave dhe temperatura nën zero në disa prej rajoneve qëndrore e atyre perëndimore në Shtetet e Bashkuara, të përballura me një mot të acartë.

Këshillat e meteorologëve për kujdes nga kushtet atmosferike ekstreme u shoqëruan në Cincinnati të Ohios me mbylljen e më shumë se 150 shkollave publike. Në Denver të Colorados, më të prekurit nga situata e vështirë ishin të pastrehët. Punonjës të ndihmës e vullnetarë kanë dalë në mes të të ftohtit për t’i shpërndarë kësaj kategorie aq të rrezikuar nga ngricat batanije, dyshekë kundër të ftohtit e ushqime të ngrohta.

E prekur më shumë nga bora në Nju Jork ishte konteja Chautauqua, ku pritet të bien rreth 50 mm borë në një orë. E rëndë paraqitet situata për disa qyteza në Kansas. Edhe këtu mësimi është pezulluar për shkak të acarit, ndërsa dukshmëria e ulët në rrugë në Garden Bend e ka bërë të rrezikshme lëvizjen me automjet.

Erërat e forta në Portland të Oregonit kanë shkullur pemët nga rrënjët, e kanë rrëzuar linjat e energjisë elektrike. Guvernatori i Alabamës, Robert Bentley njoftoi se, nga mëngjesi i së premtes do të hynte në fuqi gjendja e emergjencës, një deklaratë që prek të gjitha kontetë e këtij shteti dhe aktivizon 300 ushtarë të Gardës së tij Kombëtare të ndihmojnë në operacionet e asistencës.

Paralajmërime mbi rreziqet e këtij sistemi stuhish janë dhënë për disa pjesë të Kalifornisë, Colorados, Wyoming dhe Utahut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat