Ndasitë politike dhe Donald Trump

Amerika

Ndasitë politike dhe Donald Trump

Më: 20 janar 2017 Në ora: 22:42
Donald Trump

Presidenti i ri Donald Trump ka premtuar se do të veprojë me shpejtësi për të vënë në jetë programin e tij ekzekutiv dhe legjislativ që synon të sjellë ndryshime në Uashington. Por ai do të përballet me ndasi të mëdha politike në vend, të cilat nuk janë zhdukur pas fitores në zgjedhjet e nëntorit ndaj zonjës Hillary Clinton.

Donald Trump është dalluar mjaft nga presidentët e mëparshëm, me fjalimet që mbajti në të gjithë vendin për të falënderuar mbështetësit.

Ai këmbëngul gjithashtu se dëshiron ta bashkojë vendin pas një fushate zgjedhore ndër më përçarëset në historinë e dekadave të fundit.

"Ne do të shërojmë ndarjet dhe do ta bashkojmë vendin tonë shumë, shumë të ndarë. Kur amerikanët janë të bashkuar, ata mund të bëjnë çdo gjë. Nuk ka detyrë më të madhe, nuk ka ëndërr më të madhe."

Por kundërshtimi ndaj presidentit të ri mbetet i fortë. Ai u duk sidomos gjatë votimit për Kolegjin Elektoral në disa shtete, duke përfshirë Floridën.

"Votoni për mendjen e shëndoshë, për stabilitetin. Jo për Trumpin".

Po kështu në Wisconsin:

"Kjo është Amerika ime! Është Amerika ime!"

Përkrahësit e zotit Trump po u kërkojnë kundërshtarëve që t’i japin presidentit të ri një shans. Ja ç’thotë ligjvënësi republikan Kevin Brady i Teksasit:

"Mendoj se presidenti Obama ishte përçarës. Jam optimist se Presidenti i zgjedhur Trump do të vazhdojë t’i shtrijë dorën Kongresit dhe do të arrijë të dëgjojë e të shikojë nëse ne mund të bashkohemi si vend. Kjo është shpresa ime."

Por, ish-kandidati për president Bernie Sanders po u bën thirrje demokratëve që t’i rezistojnë zotit Trump, atje ku munden.

"Kur ne qëndrojmë së bashku, as Donald Trumpi dhe askush tjetër nuk do të na ndalë! Le të ecim përpara së bashku! Ju faleminderit të gjithëve!"

Sipas analistit John Hudak, do të jetë me rëndësi mënyra se si do t’i përgjigjet ai sfidës së bashkimit të vendit:

"Është detyrë e tij të fillojë ndërtimin e urave me rreth 70 milion amerikanë që kanë votuar për dikë tjetër. Kjo është një sfidë e vërtetë, dhe kjo nuk është një sfidë me të cilën përballet çdo president. Do të jetë një sfidë e rëndësishme për të parë se si do ta trajtojë këtë presidenti i ri, nëse do ta trajtojë, në muajt e parë të administratës."

Presidenti George W. Bush u përball me një situatë të ngjashme në vitin 2001, pas fitores së kontestuar në zgjedhje ndaj demokratit Al Gore.

Në fjalimin e tij të inaugurimit, presidenti Bush premtoi se do ta bashkonte vendin.

Presidenti George W. Bush:

"Uniteti ynë, vendi ynë i bashkuar është një punë serioze e udhëheqësve, e qytetarëve dhe e çdo brezi. Është zotimi im solemn: Do të punoj për ndërtimin e një vendi të bashkuar të drejtësisë dhe të mundësive".

Publiku do të mirëpresë çdo përpjekje të zotit Trump për unitet, thotë eksperti i tranzicionit David Eagles:

"Ne kemi qenë një vend i ndarë dhe padyshim zgjedhjet e treguan këtë, sepse rezultati ishte mjaft i ngushtë, siç pritej. Por unë jam shumë optimist. Po të shikosh periudha të tilla në histori, do të vësh re se publiku amerikan në përgjithësi ka reaguar pozitivisht për ta ndihmuar presidentin e ri të kryejë detyrën.”

Megjithatë, çdo përpjekje për të zbutur hidhërimin politik të shkaktuar nga zgjedhjet, mund të komplikohet qysh në fillim, për shkak të deklaratave që ka bërë zoti Trump se do të shfuqizojë dhe zëvendësojë arritjen kryesore të presidentit Barack Obama, ligjin e tij të kujdesit shëndetësor./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat