Koferenca e pazakontë e Presidentit Trump

Amerika

Koferenca e pazakontë e Presidentit Trump

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 00:47
Presidenti Donald Trump

Ende pa mbushur katër javë në detyrë, Presidenti Donald Trump u përball me tërheqjen e një prej kandidatëve të tij për kabinetin dhe dorëheqjen e detyruar të këshilltarit të tij për siguri kombëtare. Njoftimet e medias citojnë burime zbulimi të thonë se zyrtarët e fushatës së tij ishin në kontakt të rregullt me Rusinë. Dhe si mund të ndryshohet situata në këto kushte? Me një konferencë shtypi të vetë Presidentit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Ishte një shkëmbim i pashembullt mes presidentit amerikan dhe gazetarëve që e mbulojnë atë. Zoti Trump filloi me njoftimin për emrin e personit që do të zëvendësojë një kandidat për kabinet që u tërhoq për shkak të kundërshtimeve brenda Partisë Republikane.

“Kandidati për Sekretar Pune është zoti Alex Acosta.”

Pasta ai foli për arritjet e tij të deritanishme…

“Kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm. Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë ndonjë president që në një kohë kaq të shkurtër ka arritur kaq shumë sa ç’kemi arritur ne”.

Dhe lëshoi një breshëri kritikash ndaj medias.

“Media është jashtë kontrollit. Niveli i pandershmërisë ka dalë jashtë kontrollit.”

E gjitha kjo vetëm në pesë minutat e para të konferencës së shtypit që zgjati 77 minuta.

Zoti Trump u pyet vazhdimisht për njoftimet se këshilltarët e fushatës së tij, kishin qenë në kontakt të vazhhdueshëm me Rusinë.

"Nuk kam lidhje fare me Rusinë. Ju kam thënë, nuk kam biznese atje, nuk kam asgjë. Këto njoftime për Rusinë janë lajme të rreme që i nxjerr media”.

Dhe ai tha se kjo mund të dëmtojë çdo lloj marrëdhënieje që ai mund të krijojë me Presidentin rus, Vladimir Putin.

"Ai ulet në tryezën e tij dhe mendon ‘e shoh se ç’po ndodh në Shtetet e Bashkuara, e ndjek nga afër. Do të jetë e pamundur për Presidentin Trump që të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë, me gjithë këtë presion nga këto lajme të rreme’”.

Presidenti Trump e mbrojti mënyrën si u zbatua urdhri ekzekutiv për ndalimin e udhëtimit, që është bllokuar nga gjykatat. Ai njoftoi se do të bëjë një përpjekje tjetër.

"Do të nxjerrim një urdhër të ri ekzekutiv javës që vjen që do ta mbrojë vendin tonë”.

Përveç deklaratës dhe përgjigjeve, Presidenti Trump bëri komente për gazetarët dhe mënyrën se si ata po e mbulojnë presidentin dhe administratën e tij të re.

"Janë të gjitha lajme të rreme, të gjitha lajme të rreme. New York Times po dështon. Shoh shumë, shumë gjëra të pavërteta”.

Presidenti Trump e paraqiti me tone të zymta gjendjen e vendit.

"T’ju them të drejtën unë trashëgova një rrëmujë. Është rrëmujë e vërtetë, brenda dhe jashtë vendit”.

Pavarësisht nga problemet që ka hasur, zoti Trumë është optimist të paktën tani për tani.

"Kjo adminstratë po funksionon për mrekulli”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat