Trump, Turnbull theksojnë lidhjet historike SHBA-Australi

Amerika

Trump, Turnbull theksojnë lidhjet historike SHBA-Australi

Më: 5 maj 2017 Në ora: 17:01
Presidenti amerikan Donald Trump dhe Kryeministri i Australisë Malcolm Turnbull

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Kryeministri i Australisë Malcolm Turnbull e morën fjalën mbrëmë para të ftuarve për një darkë në bordin e aeroplanmbajtëses USS Intrepid në Nju Jork. Darka ishte organizuar për të shënuar 75-vjetorin e betejës në Detin e Koraleve kur dy aleatët e Luftës së II Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Australia, luftuan kundër njësive të marinës japoneze.

Presidenti Trump foli për “lidhje të hekurta” mes Shteteve të Bashkuara dhe Australisë të krijuara në ujërat e Paqësorit gjatë Luftës II Botërore në betejën që ndali avancimin e njësive japoneze:

“Unë dhe kryeministri sapo përfunduam një diskutim produktiv mbi interesat e të dyja vendeve. Së bashku ne diskutuam mbi tema të rëndësishme, që nga siguria kombëtare e deri tek tregtia, nga imigracioni tek bashkëpunimi i shtuar ekonomik. Ne riafirmuam miqësinë e jashtëzakonshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Australisë dhe rëndësinë jetike të sigurisë dhe aleancës sonë,” tha presidenti Trump.

Zoti Trump tha se lidhjet mes dy vendeve “u vulosën me gjakun e baballarëve dhe gjyshërve tanë” që humbën jetën në Betejën e Detit të Koraleve, e cila këtë javë mbush 75 vjet.

Të dy udhëheqësit u zotuan për një miqësi afat-gjatë mes vendeve të tyre.

“Kemi besim tek njëri-tjetri,” tha zoti Turnbull duke folur për marrëdhëniet amerikano-australiane.

“Sot, së bashku ne dënojmë dhe i bëjmë qëndresë provokimeve të papërgjegjshme të Koresë së Veriut. Ne luftojmë së bashku në Irak dhe Afganistan për të mposhtur terroristët që kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës. Nga beteja e Luftës I Botërore në baltovinat në Fromelles të Francës, tek brigjet e Detit të Koraleve e deri tek shkretëtira e Lindjes së Mesme sot, australianët dhe amerikanët qëndrojnë sup më sup për të mbrojtur lirinë,” tha kryeministri australian.

Kryeministri Turnbull në mbyllje të fjalës së tij nderoi kontributin e trupave australiane dhe amerikane me fjalët “Ju na garantoni lirinë”.

Ishte takimi i parë mes dy udhëheqësve që pas telefonatës prezantuese në muajin shkurt që, sipas njoftimeve, presidenti amerikan ia ndërpreu kryeministri australian para se të mbaronte. Presidenti Trump gjatë bisedës kishte shprehur kundërshtimin ndaj një marrëveshjeje të arritur mes dy vendeve gjatë administratës Obama, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara do të pranonin refugjatë që aktualisht mbahen në një territor australian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat