Një ligjvënës amerikan Stephen Scalise u plagos të mërkurën në mëngjes në një fushë bejsbolli në Aleksandria të shtetit Virxhinia, shumë pranë Uashingtonit.
Në momentin kur u qëllua, ai dhe një grup kolegësh po stërviteshin për një ndeshje vjetore bejsbolli planifikuar për ditën e enjte.
Njoftohet se Scalise u qëllua në këmbë dhe iu nënshtrua operacionit, por vazhdon të jetë në gjendje kritike.
Presidenti Donald Trump njoftoi se personi i armatosur, që qëlloi ndaj ligjvënësit dhe disa përfaqësuesve të tjerë federalë, vdiq për shkak të plagëve të marra gjatë shëmbimit të zjarrit me policinë.
Autoritetet identifikuan autorin e dyshuar të sulmit si James T. Hodgkinson nga shteti i Illinoit.
Plagosja e ligjvënësit: Çfarë dihet deri tani
- Ligjvënësi Stephen Scalise ishte në mesin e disa personave kur një person i armatosur hapi zjarr ndërsa ligjvënësit republikanë po stërviteshin për një lojë vjetore bejsbolli.
-Ligjvënësi u qëllua në pjesën e sipërme të këmbës dhe u dërgua për trajtim në një spital të Uashingtonit.
- Njeriu i armatosur u identifikua si James Hodgkinson 66 vjeç, nga Belleville i Illinois.
- Presidenti Donald Trump tha se i dyshuari vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë shkëmbimit të zjarrit me autoritetet e zbatimit të ligjit.
- I dyshuari ishte kritik i ashpër i presidentit Trump, nisur nga postimet e tij në median sociale.
- Presidenti Trump bëri thirrje për unitet pas incidentit, po ashtu edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan si dhe udhëheqësja e pakicës demokrate Nancy Pelosi.
- Loja e parashikuar ditën e enjte mes demokratëve dhe republikanëve të kongresit do të vazhdojë sipas parashikimit.
Ligjvënësi Scalise është republikani i tretë më i rëndësishëm për nga pozicioni në Dhomën e Përfaqësuesve. Detyra e tij është garantimi i disiplinës dhe mbledhja e votave brenda shumicës republikane./voa