Trump përpiqet të rigjallërojë bazën republikane

Amerika

Trump përpiqet të rigjallërojë bazën republikane

Më: 8 gusht 2017 Në ora: 18:15
Presidenti Donald Trump ndodhet me pushime pune në klubin e tij të golfit në New Jersey

Presidenti Donald Trump ndodhet me pushime pune në klubin e tij të golfit në New Jersey, ku ka biseduar në telefon për Korenë e Veriut me sekretarin e shtetit Rex Tillerson që vazhdon turin diplomatik në Azinë Juglindore.

Edhe pse me pushime, ai po përpiqet të luftojë dobësinë që ka shfaqur baza e tij republikane dhe t’u japë energji të re mbështetësve të tij më të vendosur, pas shumë muaj problemesh të brendshme në Shtëpinë e Bardhë dhe dështime në programin legjislativ.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po i bëjnë thirrje Presidentit të rigjallërojë përpjekjet për emigracionin dhe çështje të tjera që favorizohen nga konservatorët, evangjelistët dhe shtresën e bardhë punëtore, të cilët e sollën atë në Zyrën Ovale.

Presidenti ndërkaq ka vazhduar të sulmojë median në Twitter dhe ka organizuar mitingje me shpresën për të nxitur bazën konservatore.

Të hënën ai sulmoi ashpër senatorin demokrat Richard Blumenthal me disa komente në Twitter, pasi senatori ka shprehur mbështetje për hetimet e prokurorit të posaçëm rreth lidhjeve të ndihmësve të zotit Trump me Rusinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat