Presidenti Trump përballë kritikave lidhur me protestat e dhunshme

Amerika

Presidenti Trump përballë kritikave lidhur me protestat e dhunshme

Më: 13 gusht 2017 Në ora: 20:31
Donald Trump

Presidenti Donald Trump po përballet me kritika të shumta nga i gjithë spektri i politikës amerikane, ngaqë nuk dënoi supremacistët e bardhë, të cilët ishin organizatorët e mitingut “Të bashkojmë të djathtën” në Sharlotsville të Virxhinias, që përfundoi me dhunë vdekjeprurëse.

Zoti Trump, i cili zakonisht komenton menjëherë pas sulmeve terroriste, e dënoi dhunën “si shprehje skandaloze të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës nga të gjitha palët”. Përmes Twitterit, ai “ofroi ngushëllimet e tij për të tre personat që humbën jetën dhe u dërgoi urim për një shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”.

Por zoti Trump nuk dënoi grupet ekstremiste që organizuan protestën e së shtunës, shumë prej tyre përkrahës politikë të tij, të cilët shprehen me përbuzje të hapur ndaj pakicave racore, hebrejve dhe grave, me gjeste dhe me thirrje.

David Duke, dikur udhëheqës i grupit racist Ku Klux Klan, tha se mitingu rreth 160 kilometra larg Uashingtonit ishte “një pikë kthese” për një lëvizje, për përmbushjen e premtimeve Donald Trump-it."

Gjatë fushatës elektorale, vitin e kaluar, Trump e pati refuzuar mbështetjen e David Duke-it.

Të dielën, Shtëpia e Bardhë u përpoq të sqaronte përse Presidenti Trump nuk e kishte dënuar grupin e nacionalistëve të bardhë me emër, duke thënë se ai dënon çdo formë dhune, fanatizimi dhe urrejtjeje dhe se natyrisht kjo përfshin edhe supremacistët e bardhë, grupin racist Ku Klux Klan dhe të gjitha grupet ekstremiste.

Ish Presidenti Barack Obama dhe rivalja demokrate e zotit Trump, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, e dënuan urrejtjen në thelbin e lëvizjes së supremacistëve të bardhë. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe një numër i madh ligjvënësish republikanë, që zakonisht e mbështesin zotin Trump./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat