Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në një mesazh në rrjetin social Twitter, vlerësoi sot se të dialogu me Korenë e Veriut nuk ishte zgjidhje dhe se kërkesa për një zgjidhje diplomatike me regjimin e Phenianit ishte e destinuar të dështonte.
“Që prej 25 vitesh, SHBA po diskuton me Korenë e Veriut. Të dialogosh nuk është zgjidhje!”, theksoi presidenti amerikan pas lëshimit nga regjimin i Kim Jong-Unit të një rakete qe kaloi edhe mbi territorin japonez.
Administrata e Donald Trump, ashtu si ajo e paraardhësit të tij, Barack Obama ka qenë e ashpër përballë regjimit koreanoverior, me shpresën për ta bërë të heqë dorë nga programet bërthamore dhe balistike.
Kreu i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson rikonfirmoi gjithashtu se ishte i hapur për negociata me Phenianin, me kushtin që ato të përqendrohen në denuklearizimin e Koresë së Veriut.
“Ne do të vazhdojmë fushatën tonë me presion paqësor me aleatët tanë, me Kinën, për të parë nëse kjo do ta sillte Phenianin në tryezën e negociatave, për fillimin e një dialogu për një të ardhme ndryshe për gadishullin korean dhe Korenë e Veriut”, ishte shprehur ai disa ditë më parë.
Sot, Kina, partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut, bëri thirrje për përpjekje të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike dhe paqësore për këtë krizë dhe kritikoi thirrjet e përsëritura që i janë drejtuar asaj nga SHBA-ja për të rritur presionin ndaj Phenianit.