Trump mbledh ekipin e sigurisë kombëtare, përgatit sanksione të tjera kundër Koresë së Veriut

Amerika

Trump mbledh ekipin e sigurisë kombëtare, përgatit sanksione të tjera kundër Koresë së Veriut

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 17:43
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump do të mbledhë sot ekipin e tij të sigurisë kombëtare pas njoftimit për një test tjetër bërthamor të kryer nga Koreja e Veriut, ndërkohë që njoftoi dhe përgatitjen e sanksioneve të reja.

“Ekipi i sigurisë kombëtare po ndjek nga afër këtë çështje”, theksoi Sarah Huckabee Sanders, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë duke shtuar se një takim me presidentin ishte parashikuar.

Në një sërë mesazhesh në rrjetin social Twitter, Trump dënoi edhe një herë aktet armiqësore dhe të rrezikshme nga Pheniani dhe gjykoi se politika e pajtimit përballë regjimit të Kim Jong-Un ishte një dështim.

Në të njëjtën kohë, sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin përmendi sanksione të reja në të ardhmen.

“Do të përgatis një sërë sanksionesh që do t’ia paraqes presidentit”, njoftoi ai në stacionin televiziv “Fox News”.

“Ata që bëjnë biznes me Korenë e Veriut nuk do të mund të bëjnë me ne”, paralajmëroi ai duke shtuar se SHBA-ja kishte si synim të punonte me aleatët e saj dhe me Kinën.

Më herët, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron u shprehën në mbështetje të një ashpërsimi të sanksioneve nga Bashkimi Evropian kundër Phenianit.

Në fillim të gushtit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një sërë sanksionesh të tjera që synonin privimin e Koresë së Veriut nga një miliardë dollarë të ardhura nga eksportet e karbonit, hekurit dhe peshkimit.

Këto sanksione u miratuan veçanërisht nga Kina, mbështetësi kryesor ekonomik i Phenianit dhe destinatori i rreth 90 për qind të eksporteve koreano-veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat