Presidenti Trump urdhër ekzekutiv për sigurimet shëndetësore

Amerika

Presidenti Trump urdhër ekzekutiv për sigurimet shëndetësore

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 20:39
Presidenti Donald Trump

I irrituar nga dështimi i Kongresit për të ndryshuar politikat e shërbimit shëndetësor, presidenti Donald Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv, për ta bërë më të lehtë për konsumatorët të blejnë sigurime shëndetësore me kosto të ulët, por me shërbime të kufizuara.

Presidenti Trump e bëri njoftimin nga Shtëpia e Bardhë, në prani të pronarëve të bizneseve të vogla, të cilët mund të përfitojnë nga vendimi i tij. Shtëpia e Bardhë thotë se urdhëri ekzekutiv mund të nxisë krijimin e një sërë planesh të sigurimeve shëndetësore jo shumë të kushtueshme; dhe që nuk është e nevojshme të jenë në pajtim me rregullat ekzistuese të mbrojtjes së konsumatorëve, të cilat kërkojnë disa shërbime mjekësore, si trajtimi për sëmundjet mendore dhe të lindjes së fëmijëve të përfshihen në sigurimet shëndetësore që shiten në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti tha se ndryshimet e tij do t’i japin fund “makthit të planit Obamacare”, emri me të cilin njihet reforma e sigurimeve shëndetësore e miratuar nga administrata e paraardhësit të tij, që shihet si arritja më e rëndësishme legjislative e ish presidentit Obama.

Presidenti ju drejtua të pranishmëve:

"Keni për të patur çmime më të përballueshme për një shërbim më të mirë shëndetësor. Njerëzit kanë për të patur një shërbim të shkëlqyer shëndetësor dhe kur them njerëzit, e kam fjalën për miliona e miliona vetë,” – deklaroi presidenti Trump.

Forma e re e sigurimit shëndetësor mund të tërheqë të rinjtë dhe individët e shëndetshëm, për të cilët plani Obamacare, ishte i shtrenjtë, por ofronte edhe më shumë shërbime. Por të moshuarit dhe personat e sëmurë, do të vazhdojnë të blejnë sigurime sipas planit Obamacare, çmimet e të cilave mund të rriten edhe më tej tani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat