Kush do të jetë kreu i ardhshëm i Rezervës Federale?

Amerika

Kush do të jetë kreu i ardhshëm i Rezervës Federale?

Më: 29 tetor 2017 Në ora: 17:46
ilustrim

Presidenti Donald Trump thotë se është pranë marrjes së vendimit për personin që do të mbajë postin më të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kreun e bankës qendrore të Shteteve të Bashkuara. Mandati i kryetares aktuale të Rezervës Federale, Janet Yellen, mbaron në fillim të vitit tjetër, ndërsa ajo vazhdon të jetë ndër kandidatët për mbajtjen e këtij posti. Analistët nuk presin ndryshime të mëdha në politikën monetare të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht nga përzgjedhja që do të bëjë Presidenti. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mil Garcia, kreu i ri i Rezervës Federale do të përballet herët apo vonë, me perspektivën e një ekonomie të ngadalësuar.

Pas rreth katër vitesh si gruaja e parë në krye të Bankës Qendrore amerikane, Janet Yellen është shquar si “një kujdestare e qëndrueshme” e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.

“Gjatë 8 viteve të fundit, Rezerva Federale ka funksionuar mirë si hartuesja kryesore e politikave ekonomike të Uashingtonit; rritja ekonomike nuk ka qenë spektakolare, por e qëndrueshme”, thotë Tom Buerkle, i agjensisë “Reuters”.

Por, ndërsa mandati i zonjës Yellen mbaron në muajin shkurt, ndër kandidatët kryesorë radhitet Jerome Powell, anëtar i bordit të guvernatorëve, i emëruar nga republikanët. Kandidatë të tjerë janë ekonomisti i Universitetit Stanford, John Taylor, si dhe ish-anëtari i bordit të guvernatorëve Kevin Warsh, të cilët konsiderohen si ndër konservatorët për sa i përket rritjes së normave të interesit. Një tjetër kandidat është këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Gary Cohn, ish-bankier investimesh.

Pavarësisht nga përzgjedhja që do të bëhet, kreu i ardhshëm i Rezervës Federale nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha.

“Nëse ia fillojnë duke sinjalizuar se do të jenë më agresivë për rritjen e normave të interesit, kjo do të dëmtonte kufirin e inflacionit nën 2%, do të trondiste tregjet financiare dhe ekonominë”, thotë Ryan Sweet, nga firma “Moody’s Analytics”.

Por, me zgjerimin aktual të ekonomisë amerikane, cikli i tretë më i gjatë në historinë e SHBA-së, disa ekonomistë mendojnë se kreu i ardhshëm i Rezervës Federale do të përballet me rënien e ardhshme ekonomike.

“Gjatë çdo rënieje të mëparshme ekonomike, Rezerva Federale ka ulur nivelin e financimit me 5%, duke zvogëluar kështu hapësirat për të ulur normat e interesit”, thotë zoti Sweet.

Ndërsa Rezerva Federale disponon edhe mekanizma të tjera që mund të përdorë në rastin e një rënieje ekonomike, një tjetër sfidë për Bankën Qendore do të jetë ruajtja e pavarësisë së saj në epokën Trump.

“Çelësi i një politike të efektshme monetare është pavarësia nga administrata dhe nga Kongresi, në mënyrë që të fokusohet tek objektivat afatgjata ekonomike dhe jo tek nevojat imediate të qeverisë”, thotë Tara Sinclair, e firmës “Indeed.com”.

Nuk përjashtohet ende mundësia e një mandati të dytë katërvjeçar për zonjën Yellen. Pritet që Presidenti Trump të njoftojë përzgjedhjen e kreut të ri të Rezervës Federale, përpara se të niset në udhëtimin e tij drejt Azisë, më datë 3 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat