Guvernatori: Alarmi i rremë për raketa drejt Havajit “krejtësisht i papranueshëm”

Amerika

Guvernatori: Alarmi i rremë për raketa drejt Havajit “krejtësisht i papranueshëm”

Më: 15 janar 2018 Në ora: 00:53
Qendra e Menaxhimit të Emergjencave në Honolulu, Havaji

Një alarm i rremë për sulm me raketa shkaktoi panik mes banorëve të Havajit dje në mëngjes.

Kirstjen Nielsen, e Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha sot se autoritetet po punojnë që kjo situatë mos të përsëritet në të ardhmen.

Ligjvënësja e Havajit, Tulsi Gabbard, i tha kanalit televiziv CNN se fakti që dështoi ky proces duke shkaktuar traumë dhe terror në mbarë shtetin e Havajit, tregon se duhet korrigjuar menjëherë dhe se personat përgjegjës duhet të vuajnë pasojat.

Guvernatori i Havajit, David Ige tha se alarmi fals ishte “krejtësisht i papranueshëm” dhe se u shkaktua nga një gabim njerëzor.

Guvernatori Ige u tha gazetarëve se ishte “i zemëruar dhe i zhgënjyer” nga kjo situatë.

“Është një ditë që shumica prej nesh nuk do ta harrojnë. Një ditë kur shumica e komunitetit tonë mendoi se po ndodhte makthi ynë më i keq dhe se çfarë duhet të bënim kur lëshohet një raketë balistike”, tha guvernatori i Havajit.

Zyrtarët e Havajit kërkuan ndjesë në mënyrë të përsëritur, duke thënë se alarmi ishte dërguar kur dikush shtypi butonin e gabuar gjatë ndërrimit të turneve. Ata u zotuan se kjo nuk do të ndodhë sërish.

“Kërkoj ndjesë të thellë për shqetësimin dhe trazirën që shkaktuam. Kemi kaluar muaj të tërë përgatitjesh për këtë lloj kërcënimi dhe për mënyrat se si të njoftojmë paraprakisht publikun. Marr përgjegjësinë për këtë që ndodhi. Ky është ekipi im. Ne gabuam”, tha Vern Miyagi, i Departamentit të Menaxhimit të Emergjencave të Havajit.

Pas pyetjeve të përsëritura të gazetarëve për rrethanat se si mund të ndodhë një gabim i tillë, zoti Miyagi tha se personi përgjegjës për alarmin e gabuar ndjehet tmerrësisht keq për atë që ndodhi.

Rreth orës 8 të mëngjesit të djeshëm, banorët e ishullit amerikan morën një mesazh: “HAVAJI PO KËRCËNOHET NGA NJË SULM ME RAKETA. GJENI MENJËHERË STREHIM. KY NUK ËSHTË NJË USHTRIM.”

Paniku përfshiu shumë banorë të Havajit ndërsa e morën mesazhin nëpërmjet televizionit, radios, emailit dhe paisjeve celulare.

Në hotele, klientët u dërguan nëntokë, ndërsa njerëzit që ndodheshin në shtëpitë e tyre nxituan të gjenin vendin më të sigurtë.

U deshën 20 minuta që të kuptohej gabimi, dhe vetëm pas 38 minutash zyrtarët arritën ta korrigjojnë atë. Vonesat u kritikuan nga banorët, zyrtarët e qeverisë dhe mediat./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat