SHBA: Marshimi i Grave 2018

Amerika

SHBA: Marshimi i Grave 2018

Më: 22 janar 2018 Në ora: 00:29
Marshimi i Grave

Mijëra demonstrues u mblodhën në qytete anembanë Shteteve të Bashkuara dhe në mbarë botën, për të bërë thirrje për të drejta të barabarta, për të denoncuar ngacmimet seksuale dhe për të inkurajuar gratë të kandidojnë për poste politike. Protestat kulmojnë sot në qytetin e Las Vegasit në Nevada. Siç raporton Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës, “Marshimi i Grave” i këtij viti nuk është vetëm një protestë. Organizatorët shpresojnë se kjo është një thirrje mbarëkombëtare për veprim.

Gjatë një dite çuditërisht të ngrohtë janari, qindra mijëra demonstrues bllokuan rrugët e qytetit të Çikagos për të dhënë një mesazh.

“Mesazhi i kësaj proteste është që të gjithë të votojnë, dhe ne të sigurohemi se njerëzit e duhur do të marrin postet e duhura në Kongres; për t’u siguruar se votimi do të jetë gjithëpërfshirërës dhe për të arritur në një pikë ku nuk e luftojmë më njëri-tjetrin” tha Chloe nga Çikago.

Chloe Ramjohn ishte ndër ata që morën pjesë në demonstrimin “Marshoni në Votime”, ditën e përvjetorit të parë të inaugurimit të presidentit Donald Trump.

“Unë nuk mendoj se është domosdoshmërisht një protestë kundër vetë presidentit Trump...por qeverisë në përgjithësi. Ata nuk po i kushtojnë vëmendje asaj që po ndodh. Trump është tani fytyra e qeverisë” tha ajo.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill De Blasio, u tha gazetarëve që mbulonin ngjarjen në qytetin e tij se presidenti Trump duhet t’i kushtojë vëmendjen përmasës së turmave, dhe mesazhit të marshuesve.

“Presidenti do të duhet t’i kushtojë vëmendje. Kur shikohet ky lloj organizimi, do të thotë se do të vazhdojë përgjatë vitit. Çdokush që mendon se ndodh vetëm njëherë, e kanë gabim. Një vit më parë ishte fillimi i një lëvizjeje më të madhe” tha zoti De Blasio.

“Tani për tani, kjo ishte lëvizja që duhej të ndodhte. Për fat të keq, Presidenti ynë i tanishëm, na shtyu drejt kësaj” tha kandidatja për Kongres, Vangie Williams.

Vangie Williams nuk po marshon vetëm në kryeqytetin e vendit. Ajo është kandidate për Kongres nga shteti i Virxhinias, pjesë e një numri rekord grash që kandidojnë për zgjedhjet e këtij viti.

“Tani është koha që gratë të marrin pjesë në vendim-marrje”.

“Njerëzit shpesh e kanë idenë e gabuar se pse organizohet marshimi. Thjesht po luftojmë për barazinë gjinore”.

Një luftë që, për demonstruesen nga Çikago Ally Saysane, shpreson të vazhdojë në kutitë e votimit dhe të sjellë ndryshim.

“E ardhmja është tek gratë dhe të tjerët nuk mund të na shtypin sepse ne do të luftojmë” tha ajo.

Pavarësisht se turma e këtij viti ishte më e vogël në krahasim me atë të vitit të shkuar, nuk mungonte energjia dhe entuziazmi midis demonstruesve. Ata shpresojnë se marshimi i tyre është më shumë sesa thjesht një protestë, por se është një lëvizje e qëndrueshme, që do të sjellë ndryshime të qëndrueshme dhe unitet, në një vend të përçarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat