Kreu i CIA-s Pompeo, një konservator i njohur, zëvendëson Tillersonin

Amerika

Kreu i CIA-s Pompeo, një konservator i njohur, zëvendëson Tillersonin

Më: 14 mars 2018 Në ora: 15:45
Mike Pompeo

Dje në një lëvizje surprizë, Presidenti Donald Trump njoftoi shkarkimin e sekretarit të Shtetit Rex Tillerson dhe zëvendësimin e tij me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo. Ky i fundit njihet për pikëpamjet e tij të hapura konservatore dhe pritet të ketë një bashkëpunim të mirë me presidentin.

Mike Pompeo ka shërbyer tre mandate në Kongres si përfaqësues i republikanëve të shtetit Kansas dhe ishte një mbështetës i hershëm i kandidimit të Donald Trumpit për postin e presidentit. Në detyrën e tij si drejtor i CIA-s ai ka qenë i afërt me presidentin.

Gjatë kohës që shërbeu si ligjvënës, zoti Pompeo njihej si një kritik i ashpër i iniciativave të administratës Obama, siç ishte reforma e sigurimeve shëndetsore, si dhe marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe pesë fuqive të tjera botërore.

Dje presidenti Trump përmendi marrëveshjen e Iranit në veçanti, si një çështje me të cilën ai dhe Mike Pompeo bien dakort, gjë që nuk ndodhi me Rex Tillersonin.

"Kur shikoni marrëveshjen e Iranit, unë mendoj se është e tmerrshme. Unë doja që Tillerson ose ta prishte, ose të bënte diçka, por ai num mendonte ashtu. Pra ne nuk mendonim njësoj. Por me Mike Pompeon, kemi një proces shumë të ngjashëm mendimi", tha zoti Trump.

Të dielën, Mike Pompeo foli lidhur me njoftimin e fundit të presidentit Trump se ka pranuar një ofertë për t'u takuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

"Kurrë më parë nuk i kemi patur koreano-veriorët me një ekonomi në rrezik dhe udhëheqjen e tyre nën një presion të tillë që ata të fillojnë bisedimet”, tha Pompeo.

Për detyrën e re të sekretarit të Shtetit Mike Pompeo duhet të marrë miratimin e Senatit. Dje në një deklaratë kryetari i komisionit të Marrëdhënieve me Jashtme në Senat Bob Corker tha se seancat dëgjimore pritet të zhvillohet në muajin prill./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat