Seanca e konfirmimit të Mike Pompeos

Amerika

Seanca e konfirmimit të Mike Pompeos

Më: 13 prill 2018 Në ora: 18:05
Mike Pompeo

I emëruari i presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, u përball me pyetje të vështira në seancën e konfirmimit në Senat të enjten, ndërsa senatorët kërkuan të dinë pikëpamjet e tij mbi sulmet e mundshme të Shteteve të Bashkuara në Siri, si dhe mbi Rusinë, marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe Korenë e Veriut . Një numër senatorësh e përmendën marrëdhënien e ngushtë të zotit Pompeo me presidentin si diçka pozitive por edhe si një detyrim. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine na jep më shumë informacion nga Departamenti i Shtetit.

Me Mike Pompeon që kërkon konfirmimin e Senatit për t'u bërë diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara, senatorët pranuan se marrëdhënia e tij e ngushtë me presidentin mund të ishte diçka me vlerë të jashtëzakonshme për atë post, por të tjerë shprehën shqetësimin se ai thjesht “mund të mos e kundërshtojë” presidentin.

“E di që ke zhvilluar një marrëdhënie të mirë me presidentin dhe besoj se kjo marrëdhënie mund të jetë e vlefshme nëse konfirmohesh si Sekretar Shteti. Megjithatë shumë zëra të fuqishëm janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqje”, tha senatori Bob Corker.

“A do të jeni zëri i arsyes apo do të mbështesni instiktet më të këqija të presidentit?”,pyeti senatori Robert Menendez.

I pyetur në mënyrë të përsëritur për sulme të mundshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Siri, zoti Pompeo tha se beson se presidenti tashmë ka autoritetin për të urdhëruar sulme pa kërkuar miratimin e Kongresit. Ai hodhi poshtë kritikët që e quajnë atë një "përfaqësues të vijës së ashpër dhe konservator", duke thënë se ai e ka veshur vetë uniformën ushtarake dhe e di mirë koston e tmerrshme të luftës.

"Kam ndërmend të punoj për të përmbushur politikat e presidentit me diplomaci, sesa të dërgojmë djemtë dhe vajzat tona të reja në luftë", tha zoti Pompeo.

Ekspertët thonë se politika amerikane në Siri mund të jetë një pikë ku zoti Pompeo mund të ketë përplasje me dëshirën e presidentit Trump për të larguar trupat amerikane prej andej.

“Besoj se Mike Pompeo do të nxisë presidentin të jetë i kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si ai i qaset Sirisë, për të peshuar kostot jo vetëm të veprimit, por edhe të mosveprimit. Dhe për të siguruar që presidenti e kupton rëndësinë e vazhdimit të angazhimit amerikan në Siri në një mënyrë apo në një tjetër”, thotë Daniel Vajdich me Këshillin e Atlantikut.

Pavarësisht pyetjeve të përsëritura nga anëtarët demokratë, zoti Pompeo nuk pranoi të thoshte nëse presidenti i kërkoi të ndërhynte në hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për Rusinë. I pyetur nëse do të jepte dorëheqjen nëse presidenti e shkarkonte zotin Mueller, zoti Pompeo tha se instikti i thotë se nuk do ta bënte një gjë të tillë, pasi roli drejtues në mbarë botën është akoma më i rëndësishëm në kohën e trazirave politike brenda vendit.

Komisioni do të votojë për emërimin e zotit Pompeo, dhe më pas i gjithë Senati. Ekspertët thonë se rruga e zotit Pompeo për t’u konfirmuar ka të ngjarë të jetë me pengesa, por e suksesshme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat