Kongresi pro Mueller, përpiqet ta mbrojë nga shkarkimi

Amerika

Kongresi pro Mueller, përpiqet ta mbrojë nga shkarkimi

Më: 13 prill 2018 Në ora: 22:14
Robert Mueller

Anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë po bëjnë përpjekje të reja për të mbrojtur nga shkarkimi prokurorin special Robert Mueller, i cili po drejton procesin hetimor lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Në Uashington po shtohet shqetësimi mbi të ardhmen e tij, pas kritikave të ashpra të Donald Trumpit mbi vendimin e prokurorit për të bastisur zyrën dhe banesën e avokatit personal të presidentit, Michael Cohen.

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë se çfarë roli ka luajtur avokati i Trump në pagesat që u janë dhënë aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels dhe modeles së revistës erotike “Playboy”, Karen McDougal, të cilat pretendojnë se kanë pasur marrëdhënie intime me miliarderin.

Siç mësohet, presidenti u revoltua nga bastisja e zyrës dhe banesës së avokatit të tij, por persona të afërt me të, si ish-guvernatori Chris Christie po e nxisin të tregojë maturi. Disa ligjvënës demokratë dhe republikanë, ndër ta, lideri i demokratëve në senat Chuck Schumer, po mbështesin një projektligj për ta mbrojtur Mueller. Analisti John fortier, i cituar nga Zëri i Amerikës, thotë se nëse Trump do të vendoste ta shkarkonte prokurorin, pasojat do të ishin serioze. Megjithatë Chris Edelson, profesor në universitetin amerikan pohon se shkarkimi i Mueller nuk do të shënonte përfundimin e hetimeve mbi Rusinë.

“Nuk mendoj se Donald Trumpi mund të ndalë kollaj procesin që ka arritur deri në këtë pikë. Janë ngritur padi ndaj një numër njerëzish, disa prej tyre kanë pranuar fajësinë”, tha Edelson.

Analistet kërkojnë që kongresi të shprehet qartazi dhe një zëri duke miratuar ligjin që do të mbrojë nga shkarkimi Muellerin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat