Trump me Sirinë, si Bush me Irakun

Amerika

Trump me Sirinë, si Bush me Irakun

Më: 15 prill 2018 Në ora: 20:54
Donald Trump dhe George W. Bush

Pas rrebeshit të raketave që hodhi mbi Siri, Donald Trump iu drejtua platformës së tij të preferuar të komunikimit, ku pasi falenderoi Britaninë e Madhe dhe Francën për pjesëmarrjen në operacion, përdori fjalët “Misioni u përmbush!”.

Por, nga e gjithë cicërima e postuar nga Presidenti amerikan në rrjetin social Twitter, disa prej mediave janë ndalur gjatë pikërisht tek “Misioni u përmbush”.

Nuk është hera e parë që President i Shteteve të Bashkuara përdor këtë togfjalësh për të përshkruar suksesin e një operacioni ushtarak, të ndërmarrë nga forcat amerikane vitet e fundit në misione që nuk kanë qenë të paktë.

Disa media kanë ironizuar deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë me anë të një fotoje ku shfaqet ish-Presidenti George W. Bush, pas të cilit qëndron e varur me shkronja të mëdha një parrullë me mbishkrimin “Misioni u përmbush!”.

Ndryshe nga operacioni rrufe i urdhëruar nga Donald Trump, misioni i Bush ishte më kompleks. Bëhej fjalë për luftën në Irak dhe rrëzimin e Saddam Hussein, që Perëndimi e akuzoi fort për prodhimin e armëve kimike, akuzë që asnjëherë nuk u vërtetua më pas në terren.

E gjitha kjo, bashkë edhe me pretendimet e palës siriane dhe Rusisë se nga 103 raketat e lëshuara, 71 u rrëzuan nga sistemet mbrojtëse ka nxitur një sërë mediash që të vënë në pikëpyetje suksesin e vërtetë të këtij misioni rrufe të SHBA, Britanisë dhe Francës.

Por, vetë Donald Trump këmbëngul se misioni ishte i suksesshëm dhe e arriti objektivin e tij dhe të gjitha lajmet që vënë në mëdyshje këtë, i quan “lajme të rreme”. Përpos kësaj, Trump zotohet që të godasë sërish Assadin nëse do të përdorë armët kimike kundër popullit të vet.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat