Dita e gjykimit, Trump vendos mbi paktin me Iranin

Amerika

Dita e gjykimit, Trump vendos mbi paktin me Iranin

Më: 8 maj 2018 Në ora: 10:27
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump do të shpallë këtë të martë vendimin nëse do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, apo do të qëndrojë edhe më tej në të, duke punuar me aleatët europianë që përkundër mendimit të tij, thonë se ajo ka ndalur me sukses ambiciet bërthamore të Iranit.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht të tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2015, pasi sipas tij, ajo nuk adreson programin e raketave balistike të Republikës Islamike, apo rolin e saj në luftrat në Siri dhe Jemen, e sigurisht nuk pengon përgjithmonë Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Një zyrtar i lartë amerikan, me njohuri mbi këtë proces, tha se Franca, Gjermania dhe Britania kanë bërë hapa konkretë për të adresuar shqetësimet e Trumpit mbi programin e raketave balistike, kushtet mbi të cilat inspektorët ndërkombëtarë vizitojnë vendet e dyshuara iraniane dhe klauzolat e “perëndimit” të marrëveshjes, thënë ndryshe kushtet sipas të cilave marrëveshja mund të skadojë.

Por, ende nuk është e qartë nëse këto përpjekje të fundit kanë siguruar mjaftueshëm progres sa për të nxitur Trumpin t’i qëndrojë paktit të nënshkruar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, dhe fuqitë e tjera botërore.

“Çështja kryesore që më vjen ndërmend është, a mendon ai që europianët kanë lëvizur mjaftueshëm, saqë ne të gjithë të mund të jemi të bashkuar dhe të njoftojmë një marrëveshje?”, tha zyrtari në kushte anonimati.

Udhëheqësit europianë kanë paralajmëruar se, tërheqja e Shteteve të Bashkuara do të zhbënte vite të tëra punë, që çuan drejt marrëveshjes historike të qëndrueshme që ka mbajtur Iranin larg synimeve për të shtënë në duar armët bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat