Komiteti i Senatit amerikan: Rusia ka favorizuar zgjedhjen e Trumpit

Amerika

Komiteti i Senatit amerikan: Rusia ka favorizuar zgjedhjen e Trumpit

Më: 16 maj 2018 Në ora: 19:15
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Komiteti i Shërbimeve Sekrete në Senatin amerikan ka dalë në përfundimin se komuniteti i spiunëve ka pasur të drejtë kur vlerësoi se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, me synimin për të ndihmuar kandidatin e atëhershëm Donald Trump t’i fitonte ato, në një kontrast të thellë me përfundimin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve të muajit të kaluar.

“Stafi ynë ka nxjerrë konkluzionin se përfundimet e komunitetit të shërbimeve sekrete ishin të sakta dhe të përpikëta”, tha nënkryetari i panelit, senatori Mark R. Warner (demokrat nga Virginia) këtë të mërkurë, në një deklaratë të përbashkët me senatorin Richard Burr (republikan nga Karolina e Veriut), njëkohësisht kreu i komitetit.

“Përpjekja ruse ishte e gjerë dhe e sofistikuar, madje e urdhëruar nga vet presidenti Putin, me qëllimin për të ndihmuar Donald Trumpin dhe dëmtuar Hillary Clintonin”, vazhdoi fjalimin e tij Warner.

Megjithatë, përcaktimi i sotëm, se Rusia kishte për synim të ndihmonte Trumpin, ka shkaktuar një përplasje mes republikanëve se cili prej hetimeve është më i saktë, ai i Senatit apo i Dhomës së Përfaqësuesve, një ngërç që mund të komplikojë seriozisht mesazhet e partisë në lidhje me hetimin rus, teksa janë shumë pranë nisjes së fushatës për zgjedhjet e mesmandatit të këtij viti.

E ndërsa raporti i republikanëve të Dhomës u pajtua gjithashtu me shumicën e gjetjeve të komunitetit të shërbimeve sekrete mbi ndërhyrjen ruse, ai akuzonte zyrtarët se nuk kishin ndjekur praktikat më të mira në përcaktimin se Moska shpresonte që Trump të fitonte.

Trump ka shprehur neveri ndaj përfundimit të komunitetit të spiunëve se Kremlini favorizoi kandidaturën e tij përkundrejt asaj të ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Presidenti mirëpriti me lavde gjetjet e Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe raportin e tij, duke pretenduar në statusin e tij në “Twitter” se e shfajësonte atë, pasi ai raport nuk gjeti ndonjë bashkëpunim apo koordinim me Rusinë.

Gjithsesi, paneli i Senatit nuk ka marrë ende një vendim mbi pretendimet për bashkëpunim, gjë që do të mbetet subjekt i raportit të saj përfundimtar. Por, Burr dhe Warner kanë lënë të kuptohet prej ditësh se, gjetjet paraprake të panelit të drejtuar prej tyre mbi konkluzionet e komunitetit të spiunëve do të ishin ndryshe nga ato të republikanëve të Komitetit të Shërbimeve Sekrete të Dhomës së Përfaqësuesve.

Hetimi i këtij komiteti nuk është ende i plotë. Këtë të mërkurë, pjesëtarë të panelit u mblodhën me dyer të mbyllura me ish-shefat e shërbimeve sekrete për të diskutuar përshtypjet dhe përfundimet e tyre. Ish-drejtori i Shërbimit Kombëtar Informativ, James R. Clapper; ish-drejtori i CIA-s, John Brennan; si dhe ish-drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), Mike Rogers morën pjesë. Ndërkohë, ish-shefi i FBI-së, James B. Comey ishte i ftuar, por duket se nuk ka qenë i pranishëm./tch

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat