Mosha shpëton vrasësin e Teksasit nga dënimi kapital

Amerika

Mosha shpëton vrasësin e Teksasit nga dënimi kapital

Më: 20 maj 2018 Në ora: 12:56
Dimitrios Pagourtzis

Dimitrios Pagourtzis, 17-vjeçari amerikan me origjinë greke, që vrau 10 vetë në një shkollë të Santa Fe-së në Teksas, është trajtuar si i rritur në sallën e gjyqit, por fakti që nuk e ka mbushur moshën ligjore, e shpëton atë nga dënimi kapital.

Djali i një emigranti grek që zotëron një kompani riparimi për anije, po mbahet në izolim. Plani i tij ishte të vriste shokët e më pas veten, por pasi hapi zjarr në sallën ku po zhvillohej një leksion mbi artin, nuk u vetëvra, sepse i mungoi guximi për ta bërë një gjë të tillë.

Ai thjesht u dorëzua dhe përpara gjykatësit u shfaq tejet i bindur e i përulur. Nëna e njërës prej viktimave të tërbimit të adoleshentit i tha CNN-it se Dimitrios kishte tentuar prej 4 muajsh që të dilte me të bijën, Shana Fisher, por ajo e refuzonte dhe herën e fundit, e kishte bërë këtë me zë të lartë gjatë një ore mësimi.

Masakra në Teksas shënon rastin e 22-të të vrasjeve me armë në mjediset shkollore në Shtetet e Bashkuara, vetëm në këto katër muaj e gjysmë të 2018-ës. Organizata “March for Our Lives” – Marshojmë për jetët tona, e cila u themelua pas masakrës në Parkland të Floridës, ku humbën jetën 17 persona, i bëri thirrje ndjekësve të saj të mos e trajtojnë këtë ngjarje si një tjetër tragjedi, por të punojnë për një zgjidhje. Reagime të forta pati dhe nga zyrtarë amerikanë, përfshirë sekretaren e arsimit Betsy DeVos, e cila shprehu tronditjen e thellë, duke shtuar se këto incidente nuk mund të lejohet të vazhdojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat