Banda më e rrezikshme në Amerikë, të cilën e ka frikë edhe Donald Trump

Amerika

Banda më e rrezikshme në Amerikë, të cilën e ka frikë edhe Donald Trump

Më: 25 maj 2018 Në ora: 17:57
Donald Trump dhe banda "MS-13's"

Presidenti amerikan, Donald Trump, është zotuar të bëjë ndryshime “radikale” ndaj praktikave për ndihmat duke pezulluar ndihmat qeveritare ndaj vendeve që lejojnë futjen e individëve me të kaluar kriminale në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump foli gjatë një takimi në Nju Jork, një shtet që po lufton bandat kriminale. Zyrtarët e Nju Jorkut e njohën presidentin me përparimet e bëra në shpërbërjen e bandës së dhunshme “Mara Salvatrucha” që njihet edhe si “MS-13”.

Grupi “MS-13” filloi në vitet 80-të në Los Angeles nga emigrantët nga El Salvadori. Banda është zgjeruar me përfshirjen e hondurasve, guatemalasve, meksikanëve dhe shtetasve nga vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Motoja e bandës është “vrit, përdhuno dhe kontrollo”.

“I kam quajtur kafshë dhe më qortuan. Ata thanë se janë njerëz. Ata nuk janë njerëz, janë kafshë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti e ka bërë ndër prioritetet kryesore eliminimin e bandës “MS-13”. Ai vlerësoi Agjencinë e Imigracionit për burgosjen dhe dëbimin e mijëra pjesëtarëve të bandës. Një zyrtar i lartë i agjencisë tha se 4,800 pjesëtarë të bandës, përfshi qindra udhëheqës dhe bashkëpunëtorë të “MS-13”, u arrestuan një vit më parë në të gjithë vendin. Thomas Homan është drejtor në detyrë i Agjencisë për Imigracionin dhe Doganat.

“Duam ta shtrijmë goditjen drejt jugut, Po godasim MS-13 atje ku është komanda dhe kontolli në El Salvador. Zyrat tona në Amerikën Qendrore po punojnë ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë në El Salvador. Kemi arrestuar dhe larguar qindra pjesëtarë të MS-13 nga rrugët e El Salvadorit.”

Image

Presidenti Trump tha se vendet që lejojnë kriminelët e tyre të futen në Shtetet e Bashkuara do të penalizohen.

“Do të ndërtojmë një sistem ku sa herë dikush vjen nga një vend i caktuar, atij vendi do t’i shkurtojmë një sasi të madhe parash nga ndihmat që ne japim, nëse u japim ndonjë ndihmë. Pavarësisht raporteve që dëgjoj, mendoj se këto vende nuk po na ndihmojnë.”

Kritikët thonë se presidenti po përdor frikën nga bandat për të avancuar agjendën e tij kundër imigrancionit. Angel Reyes është aktivist për imigracionin.

“Presidenti do të përdorë çdo justifikim të mundshëm për të avancuar agjendën e tij kundër imigracionit, ksenofobinë, racizmin dhe për këtë arsye po ngremë zërin që ta kuptojë se nuk është i mirëpritur në këtë komunitet.”

Grupe veprimtarësh lokalë dhe familje u mblodhën jashtë vendit ku mbahej takimi me Presidentin Trump për të protestuar kundër bastisjeve të kohëve të fundit ndaj imigrantëve pa dokumente në Nju Jork.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat