Reformimi i sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara

Amerika

Reformimi i sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 18:05
SHBA

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë republikane po premtojnë se do të organizojnë votimin javën e ardhshme për dy masa të rëndësishme për emigracionin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, po rikthehet kështu sërish kjo çështje në epiqendër të vëmendjes, në këtë vit votimesh të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara:

Siguria e kufijve dhe statusi i të mbiquajturve "Ëndërrimtarët", persona të sjellë pa dokumenta në SHBA në moshë të mitur, janë dy çështje që rrallë mund të trajtohen bashkarisht me kompromis në Kongresin amerikan. Por, të irrituar nga mosveprimi, republikanët e moderuar thonë se tani është momenti i duhur.

“Nëse duam të arrijmë diçka për të zgjidhur problemet e vërteta të këtij vendi, duhet ta bëjmë në mënyrë dypartiake”, thotë Will Hurd, ligjvënës republikan.

Ligjvënësi Hurd është ndër firmëtarët e një peticioni që kërkon një zgjidhje për emigracionin, peticion i cili detyroi udhëheqjen republikane të premtojë se do të organizojë një seancë votimi javën e ardhshme.

“Kemi një shans real për të miratuar ligje që do ta zgjidhin këtë problem”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

Por, projektligji ka ende një përqasje konservatore për zgjidhjen e statusit ligjor të përfituesve nga programi DACA dhe mund të mos marrë mbështetjen e nevojshme për t’u miratuar. Për këtë arsye, ai po përpunohet sërish.

“Nuk e kemi parë ende tekstin, por kryetari dhe të tjerë po punojnë shumë që të sigurojnë mbështetje. Bëhet fjalë për zgjidhjen e statusit ligjor të përfituesve nga programi DACA, kështu që duhen bërë shumë kompromise”, thotë Ligjvënësi republikan, Chris Collins.

Sipas promovuesve kryesorë të peticionit, ka vetëm një aspekt mbi të cilin nuk mund të bëhet lëshim.

“Qëllimi ynë është t’u japim ‘Ëndërrimtarëve’ një zgjidhje të përhershme, t’u japim sigurinë për të cilën kanë nevojë 1.8 milionë ‘ëndërrimtarët’ në SHBA, si dhe t’u ofrojmë atyre një të ardhme të qartë”, thotë Ligjvënësi republikan Jeff Denham.

Por, statusi për ‘ëndërrimtarët’ nuk mund të blihet, paralajmërojnë ligjëvënësit demokratë.

“Të dyja projektligjet gjymtojnë sistemin tonë ligjor të bazuar te emigracioni familjar, eliminojnë lotarinë amerikane, si dhe mundësojnë buxhetin për murin kufitar të Donald Trump-it dhe për deportimet masive me forcë; ata po i përdornin ‘ëndërrimtarët’ si një objekt pazari”, deklaroi Ligjvënësja demokrate, Judy Chu.

Sidoqoftë, ligjvënësit gjenden tashmë përpara një momenti historik për kompromis.

“Kemi thënë që në fillim se dëshirojmë që Dhoma e Përfaqësuesve të zhvillojë një debat serioz për një reformë domethënëse të emigracionit, dhe duket se tashmë do të ndodhë për herë të parë pas afro një dekade”, thotë Ligjvënësi republikan, Carlos Curbelo.

Por, çfarë ndodh nëse Kongresi nuk vendos të veprojë? Administrata Trump ka filluar tashmë procedurën për t’i dhënë fund programit DACA, duke paraqitur një kërkesë në gjykatën e Teksasit për ta shpallur atë të paligjshëm./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat