Gjykatësi suprem, Trump ngushton “lakun” në 5 kandidatura

Amerika

Gjykatësi suprem, Trump ngushton “lakun” në 5 kandidatura

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 08:45
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar planet e tij për të shpallur kandidaturën e re për gjykatës në Gjykatën Supreme më 9 korrik. Reporterëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, ai iu konfirmoi vetëm se ka ngushtuar lakun e zgjedhjeve në “rreth 5” kandidatë, përfshi këtu dy femra.

Vendi mbeti bosh kur gjykatësi Anthony Kennedy njoftoi tërheqjen e tij më herët gjatë kësaj jave. Kjo gjë i jep mundësinë presidentit Trump të forcojë edhe më tepër shumicën konservatore në gjykatën më të lartë të vendit.

Kandidatura e tij, gjithsesi do të ketë nevojë të konfirmohet nga Senati, ku Partia Republikane e presidentit ka një shumicë të ngushtë.

Në udhëtimin e tij nga Uashingtoni drejt Nju Xhersit, të premten, presidenti Trump tha se kandidatëve për Gjykatën Supreme nuk ka për t’iu kërkuar të marrin pozicion mbi ligjin histori të vitit 1973, i cili legalizoi abortin në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Gjatë fushatës së tij, Trump premtoi të përzgjidhte gjyqtarë “pro jetës” në Gjykatën Supreme, një premtim që alarmoi grupet e të drejtave të grave.

“Po, e kam shkurtuar lakun në rreth 5 kandidatë, – u tha ai reporterëve, teksa shtoi – Më pëlqejnë të gjithë”.

Trump njoftoi gjithashtu se planifikon të intervistojë një apo dy kandidatë përgjatë fundjavës, teksa do të qëndrojë në klubin e tij të golfit në Bedminster.

Gjykatësi 81-vjeçar Kennedy është i dyti më i moshuar në Gjykatën Supreme amerikane prej 9 anëtarësh. Gjykata luaj një rol kyç në shoqërinë amerikane dhe shpesh ka fjalën e fundit mbi ligjet aq shumë të debatueshme, mosmarrëveshjeve mes shteteve dhe qeverisë federale, e gjithashtu apelet përfundimtare për lënien në fuqi të ekzekutimeve.

Në vendimet e fundit, ajo ka zgjeruar martesat homoseksuale në 50 shtete, frenoi urdhrin e ish-presidentit Obama për emigracionin dhe vonoi planet e Shteteve të Bashkuara për të ulur emetimet e karbonit.

Edhe pse një konservator, gjykatësi Kennedy ka dalë shpesh herë në favor të liberalëve në disa vendimmarrje, përfshi edhe atë me 5 vota pro dhe 4 kundër që vendosi martesat mes të njëjtës gjini dhe lënien në fuqi të të drejtës së abortit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat