SHBA: Përjashtimet nga sanksionet për Iranin, rast pas rasti

Amerika

SHBA: Përjashtimet nga sanksionet për Iranin, rast pas rasti

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara nuk do t’i miratojnë të gjitha kërkesat e aleatëve evropianë për përjashtime nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve që bëjnë biznes me Iranin.

Por zyrtarë të lartë thanë se Uashingtoni do të shqyrtonte përjashtimet nga sanksionet rast pas rasti.

"Nuk do të ketë përjashtime pa kontroll për të gjithë, nuk do ketë heqje të rregullave për të gjithë. Ne do të shqyrtojmë çdo rast në mënyrë të veçantë," u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës me kusht që të mos zbulohej identiteti i tij.

"Ne u kemi thënë homologëve tanë se presim që ata të zbatojnë sanksionet, por nëse ka situata specifike, ne jemi të hapur të dëgjojmë argumentat e tyre," shtoi zyrtari. "Ne duam që vendet të reduktojnë blerjet e naftës iraniane në zero, por në raste të caktuara, nëse kjo nuk mund të realizohet brenda natës, ne do të shqyrtojmë mundësinë e përjashtimeve", tha zyrtari amerikan.

Komentet vijnë disa ditë përpara mbledhjes së Ministrave të Financave të G-20-ës në Buenos Aires, ku do të marrin pjesë Britania, Franca, Gjermania dhe aleatët e tjerë evropianë. Kina, India, Koreja dhe Japonia, blerësit më të mëdhenj të naftës nga Irani, janë gjithashtu në mesin e anëtarëve G-20.

Administrata e Presidentit Donald Trump ka lobuar tek konsumatorët aziatikë të naftës iraniane që t'i japin fund blerjeve të naftës nga Teherani. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar takime me zyrtarët sauditë për të ruajtur qëndrueshmërin e tregut të naftës.

Departamenti i Shtetit mund të heq kufizimet rreth reduktimeve në tregjet e naftës. Zyrtarët thanë se Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit do të punojnë së bashku për të shqyrtuar në mënyrë të veçamtë kërkesat për përjashtim nga sanksionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat