Kompleksi më i madh portual amerikan dhe lufta tregtare me Kinën

Amerika

Kompleksi më i madh portual amerikan dhe lufta tregtare me Kinën

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 19:50
Portet binjake Los Angelos dhe Long Beach

Ndërsa administrata Trump njoftoi vendosjen e tarifave shtesë prej 200 miliardë dollarësh ndaj importeve kineze, kompleksi më i madh portual në Shtetet e Bashkuara po përgatitet ndaj ndikimit të këtij vendimi. Për portet binjake Los Angelos dhe Long Beach, Kina është partnerja më e madhe tregtare dhe ajo që mund të ndodhë në këto porte, mund të shkaktojë një efekt domino në sektorë të tjerë të ekonomisë amerikane. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee njofton.

Javët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht stresues për Liang Liang, i cili ka në pronësi një biznes shitjes me shumicë mallrash importi në Los Anxhelos.

"I kam parë lajmet çdo ditë. Kur do të vendosen tarifat, kur do të më vijnë mallrat që kam porositur….luftoj me kohën. Po përpiqem të porosis të gjitha mallrat që më duhen për pjesën tjetër të vitit", thotë ai.

Shumica e mallrave, të tilla si lodra dhe bluza vijnë nga Kina, vendi i origjinës së Liang-ut. Ai pret një rritje prej 10 deri në 20 për qind në shpenzimet e transportit detar. Me rritjen e çmimeve për shkak të tarifave disa prodhues dhe shitës me pakicë pritet të porosisin më pak produkte, duke zvogëluar vëllimin tregtar ndërmjet dy vendeve.

"Pasi kjo të ndodhë, do të shihni një rritje në pagesat për transportin, sepse kur nuk keni volumin për të justifikuar mallrat që trasportohen, do të ketë një rritje të mëtejshme të kostos”, thotë Stephen Cheung i Qendrës Botërore të Tregtisë në Los Anxhelos.

….Dhe kostot e transportit do të ndikojnë tregtinë mes SHBA-së dhe Kinës, jo vetëm mallrat në listën e atyre që do t’u vendosen tarifa. Sektori i tregtisë dhe logjistikës, që përfshin portet dhe zinxhirin e furnizimit të kamionëve dhe magazinave, do të jenë viktimat e para të luftës tregtare.

Liang Linag thotë se ai do të përpiqet të amortizojë humbjet dhe kufijtë e tij të fitimit do të tkurret, por ...

"Nëse tarifat rriten me 10 apo 20 për qind të tjerë, do më duhet të rris çmimet", thotë ai.

"Konsumatorët do ta ndiejnë në kuletat e tyre shumë shpejt", thotë Stephen Cheung i Qendrës Botërore të Tregtisë në Los Anxhelos.

"Do të duhet të presim të shohim se si bizneset e ndryshme do të ristrukturojnë rrjetet e tyre të furnizimit dhe do të përshtaten me mjedisin e ri tarifor", thotë Duan Kenagy, porti i Long Beach.

Sipas zotit Kenagy deri më tani këtë vit, porti i Long Beach-it, ka shënuar vëllime rekord. Por shqetësimet egzistojnë.

"Ndikimet e një lufte tregtare të qëndrueshme dhe afatgjatë mund të jenë shkatërruese për të dyja ekonomitë".

Por Liang Liang shpreson ende. Ai mendon se lufta tregtare është në fakt një teatër politik i të dyja palëve.

"Kina gjithashtu ka pozitën e saj në tregti. Qeverisë kineze i duhet të jetë përgjegjëse për 1.4 miliardë njerëz që jetojnë në vend. Ndaj mendoj se Kina dhe SHBA-ja nuk do të bien dakord mbi tregtinë vetëm në sipërfaqe. Për zotin Trump, kjo është një shfaqje për zgjedhjet afatmesme të nëntorit, përgjigje ndaj elektoratit".

Ekspertët thonë se gjetja e zgjidhjeve për praktikat e padrejta tregtare dhe çështjet e pronësisë intelektuale amerikane janë të nevojshme, por sipas tyre duhet gjithashtu të ketë masa për të minimizuar dëmet e një lufte tregtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat