DASH, kundër marrjes së amerikanëve në pyetje nga Rusia

Amerika

DASH, kundër marrjes së amerikanëve në pyetje nga Rusia

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 17:42
Shtëpia e Bardhë nuk e ka hedhur poshtë ofertën e Putinit.

Departamenti i Shtetit ka denoncuar kërkesën e Rusisë për të marrë në pyetje disa shtetas amerikanë në këmbim të lejimit të një hetuesi amerikan që të marrë në pyetje 12 zyrtarë rusë të paditur nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e tyre në zgjedhjet amerikane.

Njëri nga amerikanët që Kremlini dëshiron ta marrë në pyetje është ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi. Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se presidenti amerikan nuk ka përjashtuar mundësinë e lejimit të zyrtarëve rusë për të marrë në pyetje amerikanët.

Gjatë samitit të Helsinkit mes Presidentit të amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, udhëheqësi rus ofroi një marrëveshje. Ai tha se Prokurori i Posaçëm amerikan Robert Mueller mund të vijë në Rusi dhe të hetojë 12 rusët e paditur nëse Kremlini mund të marrë në pyetje 11 amerikanë që dyshohet se kanë bërë veprime të paligjshme në Rusi.

Synimi kryesor i Moskës është investitori me qendër në Londër, Bill Browder, i cili i ka prishur marrëdhëniet me Kremlinin. Vladimir Putin pretendon se bashkëpunëtorët e zotit Browder kanë realizuar fitime të mëdha në Rusi pa paguar taksa dhe se disa nga paratë janë transferuar jashtë vendit me ndihmën e oficerëve amerikanë të zbulimit.

Departamenti i Shtetit të mërkurën hodhi poshtë pohimet e Rusisë, duke i quajtur ato "absolutisht absurde".

"Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që të punojnë me Departamentin amerikan të Drejtësisë për të ndjekur ata në Rusi të cilët në fakt kanë kryer skemën mashtruese të cilës i referohet Rusia dhe që kishte në shënjestër jo vetëm zotin Browder, por edhe kompaninë e tij dhe të tjerët, si dhe popullin rus në përgithësi", tha Heather Nauert, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Por Shtëpia e Bardhë nuk e ka hedhur poshtë ofertën e Putinit.

"Ka patur disa biseda për këtë, por Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmarrë asnjë angazhim. Presidenti do të punojë me ekipin e tij dhe ne do t'ju njoftojmë nëse do të ketë ndonjë zhvillim mbi këtë çështje", tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Prokurorët rusë duan të marrin në pyetje disa ligjvënës amerikanë, oficerë të sigurisë dhe diplomatë, duke përfshirë ish-ambasadorin e amerikan në Rusi Michael McFaul. Zoti McFaul i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të dënojë në mënyrë kategorike atë që ai e quajti "kërkesë qesharake nga Putini". Por edhe para samitit të Helsinkit, McFaul shprehu shqetësimin rreth qëndrimit të Presidentit Trump ndaj Rusisë.

"Frika ime më e madhe është se Presidenti Trump do të jetë shumë miqësor dhe lavdërues me Vlaidmir Putinin", tha ish ambasadori amerikan në Ukrainë.

Trump të mërkurën i hodhi poshtë këto kritika.

"Asnjë president nuk ka qenë më i ashpër se sa unë kundër Rusisë. Ju duhet të shikoni se çfarë kemi bërë, shikoni sanksionet, shikoni ambasadorët që ne kemi tërhequr", tha Presidenti Trump.

Në një zhvillim tjetër, një grua që dyshohet se është agjente e Rusisë është arrestuar në Shtetet e Bashkuara. Ministria e jashtme ruse thotë se arrestimi i së dielës ishte një përpjekje për të minuar suksesin e samitit Trump-Putin para se ai të ndodhte.

Reagon presidenti Putin

Presidenti rus Vladimir Putin fajësoi sot forcat politike brenda SHBA se po përpiqen për të minuar samitin e tij me Presidentin Donald Trump në Helsinki, ndërkohë që udhëheqësi amerikan e quajti takimin "një sukses të madh" dhe tha se mezi priste të takoheshin përsëri.

Në komentet e tij të para publike për takimin me zotin Trump, Presidenti Putin u tha diplomatëve rusë: "Ne shohim se ka forca në Shtetet e Bashkuara të cilat janë të gatshme të sakrifikojnë pa shkak marrëdhëniet ruso-amerikane për hir të ambicieve të tyre në suazën e një beteje të brendshme politike në Shtetet e Bashkuara".

Ai tha se do të ishte "naive të mendohet se problemet" midis superfuqive më të mëdha bërthamore në botë "do të zgjidheshin brenda pak orësh”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat