Trump kërkon që hetimi i Rusisë të përfundojë “menjëherë”

Amerika

Trump kërkon që hetimi i Rusisë të përfundojë “menjëherë”

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 12:04
Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller (majtas) dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions, të ndalojë “menjëherë” hetimin e lidhjeve midis Rusisë dhe fushatës së tij zgjedhore, të vitit 2016.

Kërkesa e Trumpit që Sessions t’i ndalojë hetimet nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, nxiti kritika nga republikanët e tij në Kongres, të cilët thanë se hetimet duhet të vazhdojnë.

Demokratët, ndërkaq, e cilësuan këtë veprim si përpjekje të fundit të Trumpit për të penguar drejtësinë – një krim i mundshëm të cilin Mueller raportohet se po e heton.

Në një seri postimesh në Twitter, Trump i cilësoi hetimet e Muellerit për bashkëpunim të fshehtë midis Rusisë dhe fushatës së tij si “mashtrim total”.

“Kjo është një situatë e tmerrshme dhe prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, duhet ta ndalojë këtë gjueti të manipuluar shtrigash menjëherë, përpara se të vazhdojë ta njollosë vedin tonë”, tha Trump.

Përfaqësuesi demokrat, Adam Schiff, tha se Trump “i bëri thirrje prokurorit të tij të përgjithshëm t’i ndalojë hetimet në të cilat presidenti, familja e tij dhe fushata mund të jenë të përfshira”.

Schiff tha se presidenti bëri përpjekje “të pengojë drejtësinë”.

E pyetur nëse Trump po e urdhëron Sessions të shkarkojë Muellerin, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se postimi i presidentit në Twitter “nuk është urdhër” dhe se ai nuk po e urdhëron prokurorin e tij të përgjithshëm të bëjë asgjë.

“Është opinion i presidentit”, tha Sanders, duke shtuar se Trump është zemëruar me vazhdimin e hetimeve edhe këtë vit, pavarësisht shpresave të avokatëve të tij se ato do të përfundojnë në fillim të 2018-ës.

"Presidenti nuk po pengon, po lufton", tha Sanders.

Mediat kanë raportuar se Mueller, i cili është emëruar nga Departamenti i Drejtësisë një vit më parë, është duke hetuar nëse postimet e shpeshta të Trumpit në Twitter, që sulmojnë hetimet e tij dhe u tërheqin vërejtjen zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë për lejimin e vazhdimit të tyre, ofrojnë prova që tregojnë se ai po bën përpjekje të pengojë drejtësinë.

Në muajin mars, Trump ka thënë se mund të ndërmarrë vetë veprime kundër hetimeve, nëse Departamenti i Drejtësisë nuk ndërhyn.

“Në një moment nuk do të kem zgjedhje, pos t’i shfrytëzoj fuqitë që i garantohen presidentit dhe të përfshihem”, ka thënë Trump atëbotë.

“Tani ka prova shumë të besueshme se presidenti i Shteteve të Bashkuara po e pengon drejtësinë, para syve tanë”, tha senatori demokrat, Richard Blumenthal, pas postimeve të fundit të Trumpit.

Sessions është përballur me kritika të vazhdueshme nga Trump prejse ai e ka tërhequr veten nga hetimet e Muellerit, vitin e kaluar, duke nxjerrë si arsye rolin e tij si këshilltar i fushatës zgjedhore të Trumpit.

Image
Prokurori i përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions.

Si rezultat i kësaj, Sessions nuk ka më autoritet për t’i ndaluar hetimet. Ai e ka kaluar këtë kompetencë te zëvendësi i prokurorit të përgjithshëm, Rod Rosenstein, i cili po ashtu ka qenë cak i sulmeve të Trumpit.

Por, Mueller, republikan dhe ish-drejtor i FBI-së, ka mbështetje të gjerë në Kongres, ku republiknaët kanë kontrollin e të dyja dhomave.

Disa senatorë republikanë e hodhën poshtë thirrjen e Trumpit për t'iu dhënë fund hetimeve që po bën Mueller.

“Nuk mendoj se ndonjë përpjekje për t’i ndërprerë ato apo për t’i mbyllur më herët është në interesin më të mirë të publikut", tha senatori John Thune, republikani numër 3 i Senatit.

Në muajin prill, Komiteti i Gjyqësorit i Senatit ka miratuar një legjislacion për të mbrojtur Muellerin nga shkarkimi, por udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, ka thënë se nuk ka nevojë për ta çuar përpara projektligjin, sepse ai nuk beson se Trump do ta shkarkojë Muellerin./Rel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat