SHBA, Forca e Hapësirës

Amerika

SHBA, Forca e Hapësirës

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 18:43
Pentagoni po krijon një strukturë të re të komandës hapësinore në mënyrë që Kongresi të mund të krijojë një Forcë Hapësire në të ardhmen e afërt.

Ushtria amerikane përbëhet nga forcat tokësore, detare dhe ajrore. Por a do të ketë një Forcë të Hapësirës? Ende jo, pasi për këtë duhet të merret miratimi në Kongres. Por Pentagoni po krijon një strukturë të re të komandës hapësinore në mënyrë që Kongresi të mund të krijojë një Forcë Hapësire në të ardhmen e afërt. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Pentagonit, Carla Babb, sjell më shumë hollësi.

Dikur u mendua si një ide e largët, por Pentagoni tani po krijon një Komandë të Hapësirës për të mbrojtur më mirë objektet amerikane të hapësirës.

Duke folur në Pentagon të enjten, Zëvendëspresidenti Mike Pence tha se komanda e re shënon hapin e parë drejt përfundimit të ndërtimit të një dege të gjashtë të shërbimit ushtarak, Forcës Hapësinore, për të përballuar kërcënimet ruse dhe kineze në hapësirë.

"Ashtu siç e bëjnë të qartë veprimet e tyre, kundërshtarët tanë e kanë transformuar hapësirën tashmë në një fushë lufte dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të stepen nga kjo sfidë".

Krijimi i një dege të re të ushtrisë nuk është bërë prej dekadash të tëra

"Herën e fundit që shtuam një degë të re shërbimi ishte në vitin 1947, dhe për këtë u desh pak kohë", thotë Eric Stallmer, president i Federatës së Fluturimeve Komerciale.

Por ashtu sikurse ushtria krijoi një Forcë Ajrore të re pas Luftës së Dytë Botërore - pasi e kuptoi rëndësinë e fuqisë ajrore - përkrahësit thonë se një forcë hapësinore është hapi tjetër i duhur për ushtrinë.

"Unë mendoj se po i afrohemi kësaj pike për hapësirën. Hapësira është bërë aq e rëndësishme për ushtrinë tonë, për ekonominë në përgjithësi, saqë do të kemi nevojë për profesionistë që të hartojnë strategjinë për hapësirën", thotë Todd Harrison me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis, që tanimë i mbështet planet për hapësirën, e kishte kundërshtuar dikur idenë e krijimit të një dege tjetër ushtarake.

Në një letër në Kongres vitin e kaluar, Mattis paralajmëroi kundër krijimit të "shtresave organizative në një kohë kur vendi është i përqendruar në integrimin e funksioneve të përbashkëta luftarake".

Tani për tani, Komanda e Hapësirës do të integrojë ekspertët e hapësirës ushtarake dhe do të vazhdojë të mbrojë satelitët pa pilot për komunikimet, sistemet e paralajmërimeve për raketat dhe ato të navigimit.

NASA do të vazhdojë të operojë fluturimet e hapësirës.

Presidenti Trump po i kërkon Kongresit që zyrtarisht të krijojë shërbimin e ri ushtarak deri në vitin 2020./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat