Uragani “Florence” kërcënon të sjellë dallgë vdekjeprurëse

Amerika

Uragani “Florence” kërcënon të sjellë dallgë vdekjeprurëse

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 12:49

Uragani “Florence”, i konsideruar edhe si stuhia më e fuqishme që kërcënon pjesët qendrore të Lindjes së Shteteve të Bashkuara, përfshi shtetet e Karolinës së Veriut e të Jugut, në afro 3 dekada, pritet të përforcohet ndjeshëm sipas parashikimeve.

Zyrtarët kanë paralajmëruar mbi ekzistencën e një “rreziku vdekjeprurës nga rritja e nivelit të ujërave” përgjatë 48 orëve të ardhshme, teksa “Florence” drejtohet nga brigjet lindore të SHBA. Aktualisht me erëra me shpejtësi deri në 225 km në orë, sipas shkallës së sistemit meteorologjik ai konsiderohet si uragan i kategorisë së katërt.

Tokën amerikane pritet ta prekë të premten, fillimisht në Wilmington të Karolinës së Veriut. Virxhinia, Maryland, Uashingtoni dhe dy Karolinat kanë shpallur që të gjitha gjendjen e emergjencës. “Është një stuhi monstër. Është shumë e fuqishme dhe e rrezikshme”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut gjatë një konference për shtyp të së martës. “Madje është ekstremisht e rrezikshme. Ky uragan i paparë në histori kërcënon jetët e njerëzve”.

“Florence”, gjithsesi pritet të zbutet ndjeshëm orët e vona të së enjtes e në të hyrë të së premtes. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, dallgët e fuqishme të shkaktuara nga stuhia mund të arrijnë deri në 4 metra lartësi përgjatë bregdetit. Sa u përket reshjeve të shiut, në disa zona parashikohet deri në 64 cm shi. Por, situata mund të përkeqësohet, nëse siç parashikojnë meteorologët, “Florence” qëndron gjatë pasi të prekë tokën.

Zyra e guvernatorit të Virxhinias, Ralph Northam, parashikoi “përmbytje katastrofike, erëra të fuqishme dhe me shumë mundësi edhe ndërprerje të gjerë elektriciteti”.

Sipas një zyrtari meteorologjie në Karolinën e Jugut, Rob Fowler, “Florence” mund të rivalizojë për nga fuqia impaktin e uraganit “Hugo”, që shkaktoi 7 miliardë dollarë dëme dhe u mori jetët 49 personave në vitin 1989.

Ndërkohë, urdhra evakuimi janë lëshuar për pjesë të tëra të dy Karolinave dhe Virxhinias, duke prekur kështu mbi një milion njerëz. Njerëzve më të rrezikuar u është bërë thirrje të ruajnë rezerva ushqimore dhe gjërave më jetike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat