Trump, optimist për republikanët në zgjedhje

Amerika

Trump, optimist për republikanët në zgjedhje

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 22:56
Presidenti i SHBA, Donald Trump

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të enjten se është optimist për republikanët në zgjedhjet mbarëkombëtare për kongresin muajin e ardhshëm, si dhe për rizgjedhjen e tij në vitin 2020.

Aktualisht republikanët kanë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

"Mendoj se republikanët janë shumë të motivuar," u tha zoti Trump intervistuesve në emisionin e preferuar prej tij, "Fox & Friends". Kjo, tha ai, për shkak të ekonomisë së fuqishme amerikane dhe konfirmimit javën e kaluar nga Senati kandidaturën e gjyqtarit Brett Kavanaugh për në Gjykatën e Lartë. "Unë vërtet besoj se do të dalim mirë. Mendoj se do të jemi të suksesshëm", tha Presidenti.

Parashikimi i Presidentit Trump për zgjedhjet e 6 nëntorit, kur mandati i tij katërvjeçar ndodhet në gjysmën e parë, bie ndesh me prirjet historike që favorizojnë partinë politike jashtë pushtetit, në këtë rast demokratët, për zgjedhjet e mesmandatit.

Përveç kësaj, sipas analistëve të pavarur që u referohen anketave, demokratët janë gati të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërkohë që republikanët ka gjasa të ruajnë shumicën e tyre të vogël në Senat.

Presidenti Trump tha se nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës, "ne do të na duhet të luftojmë deri në fund" gjatë dy viteve të ardhshme "sepse ka një grumbullim urrejtjeje" kundër tij dhe politikave të tij. Disa demokratë kanë thënë tashmë se në qoftë se marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ata kanë në plan të nisin procedurat e shkarkimit kundër presidentit Trump si dhe hetimin e financave të tij personale apo programeve qeveritare që ai ka ndryshuar pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë në janar 2017.

Megjithatë, zoti Trump tha se nëse demokratët marrin Dhomën, ka mundësi që të shkojmë mirë së bashku", sepse ai dhe demokratët mund të arrijnë marrëveshje për shpenzimet e infrastrukturës, pasi të dyja partitë do të dëshironin riparimin e autostradave dhe urave të rrënuara të vendit.

Sa i përket vitit 2020, Trump nuk pranoi të thoshte nëse nga demokratët ka ndonjë rival të mundshëm, të cilit t’i frikësohej në garën për një mandat të dytë katërvjeçar.

Disa demokratë, përfshirë ish-nënpresidentin Joe Biden, thonë se nuk do të jenë gati të thonë para fundit të vitit nëse do të fillojnë një fushatë mbarëkombëtare kundër zotit Trump.

Presidenti Trump tha se me ekonominë në gjendje të mirë, "nuk e kuptoj se përse pse nuk do të dilja mirë në zgjedhje. Brenda më pak se dy viteve ne kemi më shumë se çdokush tjetër në histori,” tha ai.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se votuesit vazhdimisht nuk e miratojnë punën e Presidentit Trump në detyrë, Aktualisht rreth 53 përqind nuk e pëlqejnë punën e tij kundrejt 43 përqind që e miratojnë atë./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat