Administrata Trump dhe zhdukja e Khashoggit

Amerika

Administrata Trump dhe zhdukja e Khashoggit

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 18:18
Presidenti Trump ka ngurruar të ndërmarrë hapa që mund të minojnë aleancën mes Uashingtonit dhe Riadit

Administrata Trump po ndeshet me presion në rritje për të marrë nga Arabia Saudite një shpjegim për zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili për herë të fundit u pa duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll në fillim të muajit. Hetuesit turq thonë se kanë prova që gazetarin e vranë në konsullatën saudite. Autoritetet në Riad kanë hedhur poshtë çdo përfshirje në këtë rast, por nuk kanë dhënë shpjegime për zhdukjen e Khashoggit. Presidenti Trump, i cili dje tha se “duket që Khashoggi ka vdekur”, po përballet me kritika për qëndrimin pasiv ndaj incidentit.

Presidenti Trump ka ngurruar të ndërmarrë hapa që mund të minojnë aleancën mes Uashingtonit dhe Riadit. Megjithatë po shtohet presioni për të vënë të drejtat e njeriut mbi interesat ekonomike.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte në fillim të javës në Arabinë Saudite ku, tha ai, udhëheqësit e vendit këmbëngulin se nuk kanë lidhje me zhdukjen e gazetarit:

“Ata gjithashtu më siguruan se do të zhvillojnë një hetim të plotë e të hollësishëm të të gjitha fakteve lidhur me Khashoggin sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Organizata për të drejtat e njeriut thonë se hetimet saudite nuk janë të besueshme dhe kanë kërkuar një proces të pavarur nga Kombet e Bashkuara:

“Ata kanë nxjerrë informacion kontradiktor, kanë thënë se gazetari kishte dalë nga konsullata. Pra sido që të rezultojë procesi i tyre nuk do të ishte i besueshëm,” thotë Lynn Maalouf, e organizatës “Amnesty International”, Zyra për Lindjen e Mesme.

Familja mbretërore saudite njihet për trajtimin mizor të disidentëve në këtë vend që sundohet me grusht të hekurt.

“Autoritetet nuk lejojnë protesta, nuk lejojnë opinione të pavarura, sindikata. Këtë politikë kanë ndjekur gjithmonë,” thotë Sarah Margon e organizatës “Human RightsWatch”.

Aktivistët thonë se Kombet e Bashkuara nuk kanë bërë sa duhet në përgjigje të këtyre praktikave:

“Vendet anëtare, edhe ato që pretendojnë se respektojnë të drejtat e njeriut, tregohen shumë hipokrite kur është fjala tek Arabia Saudite dhe për të mbrojtur aleatin e tyre kryesor,” thotë Sherine Tadros e organizatës “Amnesty International” Zyra e Nju Jorkut.

Analisti Larry Diamond thotë se Jamal Khashoggi kishte marrë të drejtën e banuesit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara dhe Uashingtoni nuk mund ta injorojë zhdukjen e tij.

“Mendoj se duhet trajtuar si sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë amerikane”.

Gazetarët kanë qenë ndër zërat më të fuqishëm që kanë kërkuar drejtësi për kolegun e tyre.

“Do të doja që Presidenti Trump për shembull të kërkonte me ngul më shumë informacion nga Arabia Saudite, të kërkonte që të tregonin çfarë ndodhi. Mendoj se është e rëndësishme që të shohim këtë qëndrim në nivelet më të larta të qeverisë,” thotë Robert Mahoney i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se gazetaria e pavarur dhe informative është në krizë në shkallë globale. Aktualisht më shumë se 266 gazetarë dergjen në burgje në shkallë globale, 44 kanë gjetur vdekjen brenda këtij viti, nga të cilët 27 janë vrarë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat