Vizitë në një fermë për festivalin e vjeshtës

Amerika

Vizitë në një fermë për festivalin e vjeshtës

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 20:51
Festivali i vjeshtës

Në Shtetet e Bashkuara, gjatë vjeshtës, janë shumë popullore festivalet e kungullit, një simbol i kësaj stine. Zakonisht, me këtë rast zhvillohen aktivitete të gëzueshme, si ecje në labirintet e krijuara në mesin e arave me misër, xhiro me qerre dhe mbledhjen e kungujve në fushë. Deborah Block e Zërit të Amerikës vizitoi një fermë në periferi të Uashingtonit; "Butler's Orchard" është një biznes familjar, ku njerëzit shkojnë të zgjedhin kungujt që u pëlqejnë në këtë stinë vjeshte:

Temën e kungullit e sheh kudo në fermën "Butler's Orchard" në Xhërmëntaun të Marilendit. Atje ka me mijëra kunguj, që njerëzit shkojnë për t'i zgjedhur vetë.

Ka edhe aktivitete të tjera, si xhiro me mëz, lojëra me rrëshqitëse dhe labirintet e misrit, ku mund të humbasësh kollaj.

"Çdo vit ka njerëz që na telefonojnë, thonë se kanë mbetur në mes të misrave dhe kanë humbur rrugën,"- thotë menaxheri i fermës.

Vizitorët bëjnë xhiro me qerre dhe zgjedhin në fushë kungujt që u pëlqejnë. Disa fëmijë zbulojnë këtu se frutet në ngjyrë portokalli peshojnë më shumë se sa mendonin.

Tristin Piazza do ta gdhendi vetë kungullin për festën e Hallowinit.

"Do gdhend fytyrën më të frikshme në të gjithë lagjen!"- thotë ai.

Pronare e fermës prej 120 hektarësh është familja Butler. Vizitorët vijnë këtu për të mbledhur vetë frutat, perimet, apo lulet, sipas stinës.

"Butler's Orchard" u hap më tepër se 60 vjet më parë. Në atë kohë ishte një nga fermat e para, ku vizitorët i mblidhinin vetë frutat. Ferma u krijua nga 89-vjeçarja Shirley Butler dhe bashkëshorti i saj, që nuk jeton më:

"Është një mrekulli të shkosh në fermë, gjë që unë e bëj shpesh, të shohësh kungujt e bukur nëpër fushë. Njerëzit i zgjedhin kungujt vetë dhe vijnë më falenderojnë, pra të gjithë kënaqen," - thotë Shirley.

Ken Marriam ka sjellë fëmijët e tij në fermë.

Ai thotë se "Butler's Orchard" i sjell kujtimet e fëmijërisë së tij në Honduras.

"Më kujtohet vetja kur isha fëmijë; prandaj më pëlqen t'i sjell këtu fëmijët, një mundësi për të dalë jaashtë qytetit."- thotë Ken.

Nipërit e Shirley Butlerit janë rreth të tridhjetave, ata janë brezi i tretë që kanë fermën. Menaxheri Tyler Butler thotë se fëmijët, që zakonisht i shohin kungujt vetëm nëpër dyqane, mësojnë këtu se si rriten dhe i thonë Tylerit…

"Nuk e dija që kungujt rriteshin në hardhi, që bima ka lule dhe rrënjë…"

Këto vajza të vogla mësojnë për kungujt gjatë udhëtimit të tyre të parë në fermë.

"I sjellim këtu fëmijët për të qenë pranë natyrës dhe frutave,"- thotë e jëma.

Mamaja e Tristan Piazza-s thotë se festivali i vjeshtës për të është një ngjarje e përvitshme:

"Prindërit më sillnin këtu gjithmonë, tani unë sjell fëmijët e mi. Shpresoj që im bir të jetojë në këtë zonë dhe t'i sjellë edhe ai fëmijët e tij këtu."

Në ditët tona është e vështirë të menaxhosh një fermë, prandaj Tyler Butler i vlerëson dhjetra mijëra vizitorët që vijnë çdo vit këtu për festivalin e vjeshtës./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat