Shtëpia e Bardhë: Hetimet e Muellerit do të vazhdojnë

Amerika

Shtëpia e Bardhë: Hetimet e Muellerit do të vazhdojnë

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 22:32
Shtëpia e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se pavarësisht ndryshimit të udhëheqësisë në Departamentin e Drejtësisë, do të vazhdojnë hetimet e Këshilltarit Special, Robert Mueller lidhur me supozimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Zëdhënësja, Kellyanne Conway, ka thënë për Fox News më 8 nëntor se “kjo është vazhdimësi, hetimet e Muellerit do të vazhdojnë”.

Këto komente kanë ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka detyruar Jeff Sessions të japë dorëheqje nga pozita e Prokurorit të Përgjithshëm, duke rritur shqetësimet në mesin e liderëve demokratë lidhur me të ardhmen e hetimeve të Muellerit, të cilat Trump, i ka cilësuar “të turpshme” dhe shumë të “dëmshme” për shtetin.

Sessions pati shpëtuar veten nga mbikëqyrja e hetimit që është duke kërkuar edhe ndonjë lidhje të mundshme në mes të figurave rusë dhe fushatës së Trumpit.

Sessions përndryshe ka shërbyer në fushatën e Trumpit para se bëhej pjesë e Departamentit të Drejtësisë.

Si zëvendës i Sessionit, Rod Rosenstein ka pasur autoritet për hetimet e Muellerit.

Mirëpo Trump ka emëruar shefin e stafit të Sessions-it, Matt Whitaker, që të jetë ushtrues detyre i Prokurorit të Përgjithshëm, duke i dhënë kompetencë që të mbikëqyrë hetimet e Muellerit.

Whitaker, ish-republikan ka bërë thirrje publikisht për kufizim të hetimeve, duke nxitur shumë demokratë që të kërkojnë nga ai të qëndrojë larg çështjeve të lidhura me hetimet.

E pyetur nëse Trump i ka kërkuar Whitakerit të ndalojë hetimet, zëdhënësja Conway u ka thënë gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se “presidenti nuk e ka udhëzuar atë asgjë”, përveç se të ushtrojë detyrën e Prokurorit.

Moska në anën tjetër mohon të ketë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, derisa edhe Trump ka përsëritur vazhdimisht se “nuk ka pasur bashkëpunim” në mes të fushatës së tij dhe Rusisë.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar hetimet amerikane për ndërhyrje të mundshme ruse në zgjedhje si “kokëdhembje për homologët tanë amerikanë” mirëpo nuk ka pranuar të komentojë shkarkimin e Sessionsit duke thënë se “nuk ka të bëjë asgjë me ne”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat