Shkaqe të shumfishta për zjarret në Kaliforni

Amerika

Shkaqe të shumfishta për zjarret në Kaliforni

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 21:56
Kaliforni

Deri tani, zjarret shkatërrimtare në Kaliforni janë përgjegjëse për 66 të vdekur ndërsa ende nuk dihet fati për të paktën 600 të tjerë, pa marrë parasysh mijëra shtëpi dhe objekte të shkrumbuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan nga qyteti Los Angeles, ekspertët përmendin një sërë shkaqesh për zjarret, që nga shtimi i popullsisë, dështimi i pajisjeve e deri tek ndryshimet klimatike. Ata thonë se zjarret shkatërrimtare të këtij viti mund të sinjalizojnë se situata të tilla mund të përkeqësohen edhe më tej.

Në rajonet perëndimore situata e zjarreve po përkeqësohet.

“Që nga vitet 70-të kemi parë një rritje prej pesë herë të zjarreve. Për çdo 20 zjarre që kishim në vitet 70-të, sot kemi 100”, thotë Jennifer Balch me Universitetin e Kolorados në Boulder

Ajo thotë se edhe sipërfaqet e djegura janë dyfishuar. Ndryshimet klimatike kanë sjellë temperatura më të ngrohta dhe luhatje të reshjeve të dëborës dhe shiut, duke shkaktuar edhe vite të thata dhe të lagështa, thotë Leroy Westerling me Universitetin e Kalifornisë në Merced, duke rritur rrezikun e zjarrit.

“Gjatë viteve të lagështa rritet bimësi e shëndetshme që në vitet e thata bëhen burim i fuqishëm zjarri.”

Veçanërisht zjarret që fillojnë në shkurre, në zonat në rrëzë kodrave, pranë zonave të banuara, si zjarret që po shkrumbojnë Kaliforninë.

“Është shtuar numri i popullsisë në zonat ku bien zjarre dhe po ndërtojnë shtëpi në linjat e zjarrit. Po ashtu edhe dora e njeriut po shkakton zjarre”, thotë Jennifer Blach me Universitetin e Kolorados në Boulder.

Difektet në pajisje dhe rrëzimi i shtyllave të tensionit kanë shkaktuar shumë zjarre, ndoshta edhe të tanishmet në Kaliforni. Po ashtu edhe kampistët e madje fishekzjarret janë shkaktarë të zjarreve.

Profesori Westerling thotë se menaxhimi i mirë i pyllit, tashmë i theksuar edhe nga Presidenti Trump, është i rëndësishëm në reduktimin e intensitetit të disa zjarreve, por se këto zjarre nuk filluan në pyje.

“Është e vërtetë se në disa vende dhe disa zjarre, mënyra se si është menaxhuar zjarri i mëparshëm, mund të ketë efekt të madh në ashpërsinë e zjarrit pasues. Por po shohim zjarre në zona gjithnjë e më të mëdha, me më shumë intenstitet dhe me bimësi nga më të ndryshme”.

Emëruesi i përbashkët, thotë ai, është ndryshimi i klimës. Njëri prej zjarreve “Camp Fire” u përhap me shpejtësi të tillë sa që ishte e pamundur të kontrollohej.

Profesorja Balch thotë se 1.8 milionë shtëpi në pjesët perëndimore të Amerikës janë në rrezik të madh nga zjarri, një sfidë që kërkon veprim në shumë fronte./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat