Senatori McCain nderohet me Çmimin “Magnitsky” për të drejtat e njeriut

Amerika

Senatori McCain nderohet me Çmimin “Magnitsky” për të drejtat e njeriut

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 18:02
John McCain

Senatori i ndjerë amerikan John McCain u nderua pas vdekjes me Çmimin për të Drejtat e Njeriut Sergei Magnitsky 2018. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, çmimi u jepet personave që kanë luftuar për të drejtat e njeriut në Rusi dhe mbart emrin e një juristi që u vra në një burg të Moskës në vitin 2009.

 

Çmimi u prezantua të enjten në mbrëmje nga politikani opozitar Vladimir Kara-Murza, i cili u mbijetoi në Rusi dy tentativave për ta helmuar dhe ka qenë mik i senatorit të ndjerë amerikan.

“Senatorit John McCain – në shenjë vlerësimi se trashëgimia e tij do të vazhdojë të frymëzojë për një kohë të gjatë të gjithë ata mbrojnë lirinë dhe drejtësinë”.

Duke pranuar çmimin në emër të të ndjerit, Meghan, e bija e Senatorit, theksoi kontrastin mes trashëgimisë së tij dhe atij që ajo e quajti diktatorin gjakatar të Rusisë.

“John McCain mbrojti dhe përligji kujtimin e burrave dhe grave me integritet, si Sergei Magnitsky. Vladimir Putini urdhëron vrasjen e tyre. John McCain ishte një burrë i fortë. Vladimir Putini përfaqëson idenë e një burri të dobët për t’u shfaqur si i fortë. Kur vdiq John McCain, ai u kujtua me mirënjohje dhe u lavdërua nga kombi të cilit i shërbeu dhe dashuroi. Vladimir Putini e di shumë mirë se rreziku më i madh ndaj jetës së tij është vetë populli i tij, dhe se ai do të mbahet mend si një tiran dhe një hajdut”, tha zonja McCain.

John McCain u bë një kritik i spikatur i marrëdhënies së Presidentit amerikan Donald Trump me udhëheqësin rus Vladimir Putin. Presidenti Trump i kundërshtoi me forcë kritikat. Në janar të 2017-ës, Senatori McCain vizitoi Gjeorgjinë.

“Nëse nuk i dalim kundër, Vladimir Putini do të vazhdojë agresionin e tij”, deklaroi në Gjeorgji zoti McCain.

Senatori McCain vdiq nga kanceri në tru në moshën 81-vjeçare.

Ndër personat e tjerë të nderuar me çmime janë opozitari rus Alexei Navalny, si dhe producent ukrainas i filmave Oleg Sentsov.

Çmimet “Magnitsky” kanë marrë emrin e juristit rus Sergei Magnitsky, i cili u rrah për vdekje në qelitë e policisë në vitin 2009, pasi hetoi një skemë mashtrimi me taksat të zyrtarëve të lartë rusë, të llogaritur në gati 230 milionë dollarë.

Bill Browder, drejtor i firmës “Hermitage Capital Management”, e pati punësuar zotin Magnitsky për të hetuar skemën e mashtrimit financiar. Zoti Browder bëri fushatë që Amerika të miratonte Ligjin Magnitsky në vitin 2012, që parashikon ndalimin e vizave dhe ngrirjen e aseteve të shkelësve të të drejtave të njeriut. John McCain luajti rol thelbësor në kalimin e këtij ligji në Kongres.

“Duke filluar nga viti tjetër, nuk do të nderojmë vetëm heronjtë rusë, por në frymën globale të Ligjit Magnitsky, do të nderojmë heronj nga mbarë bota”, njoftoi zoti Browder.

Duke u mbështetur tek sanksionet që parashikon Ligji Magnitsky, pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë që akuzohen për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat