Miti se shqiptaro-amerikani Ferid Murad e shpiku Viagran, ja çfarë në fakt zbuloi ai

Amerika

Miti se shqiptaro-amerikani Ferid Murad e shpiku Viagran, ja çfarë në fakt zbuloi ai

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 11:38
Ferid Murad

Laureati i Çmimit Nobel në Mjekësi, shqiptaro-amerikani Ferid Murad i cili më 14 shtator do t’i mbushte 87 vjeç, vdiq dje.

Mjeku dhe farmakologu arriti kulmin në karrierën e tij në vitin 1998, kur e fitoi Çmimin Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi.

Për të është thënë disa herë se “e ka zbuluar viagran”, medikamentin që përdoret për ta kuruar çrregullimin erektiv mashkullor dhe hipertensionin arterial pulmonal.

Por s’është ashtu. Më 1977, Murad kishte zbuluar se nitroglicerina dhe disa ilaçe të lidhura me zemrën nxisin formimin e oksidit nitrik dhe se gazi pa ngjyrë dhe pa erë vepron për ta rritur diametrin e enëve të gjakut në trup. Ky zbulim përfaqësonte një parim të ri në transferimin e sinjaleve ndërmjet qelizave. Ky dhe disa zbulime tjera, thuhet se çuan në zhvillimin e ilaçit kundër impotencës (Viagra), por Murad nuk mund të cilësohet si “zbuluesi i Viagras”. Siç shkruante CNN, është Dr. Nicholas Terrett që në vitin 1991 mori “patentën” për sildenafil citrate, ose Viagra, si një ilaç për zemrën.

Murad lindi më 14 shtator 1936 në Whiting në Indiana të SHBA-së. Prindërit e tij ishin Henrietta Josephine Bowman nga Alton, Illinois dhe Xhabir Murat Ejupi, një emigrant shqiptar nga Gostivari.

Në vitin 2015, Murad nënshkroi Deklaratën e Mainau mbi Ndryshimet Klimatike në ditën e fundit të Takimit të 65-të të Laureatëve të Nobelit Lindau. Deklarata u nënshkrua nga gjithsej 76 laureatë dhe iu dorëzua Presidentit të atëhershëm të Francës, François Hollande, si pjesë e samitit të suksesshëm të klimës COP21 në Paris.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat