Shkrimtarët Shqiptaro-Amerikanë të Diasporës në Amerikë

Amerika

Shkrimtarët Shqiptaro-Amerikanë të Diasporës në Amerikë

Nga: Prof. Dr. Agron F. Fico Më: 3 tetor 2016 Në ora: 13:03
Prof. Dr. Agron F. Fico

Bashkësia shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose siç njihet edhe me termin Diasporë është jo vetëm më e vjetra, por edhe më e rëndësishmja, më e shquar për prurjet e vazhdueshme në thesarin e kombit shqiptar.
 
I pari shqiptar që emigroi në Amerikë ishte Kolë Kristofori nga Katundi i Korçës, që erdhi më 1886 nga fshati Katund. Si duket ishte me këmbë të mbarë, sepse ishin korçarët, e ndofta vazhdojnë edhe sot, ata që zënë vendin më të shumtë në këtë diasporë.
 
Tashmë është bërë i njohur kontributi politik-atdhetar dhe kulturor i Diasporës shqiptare në Amerikë. Shoqata pan-shqiptare “Vatra”, e themeluar nga Fan Noli dhe e mirë-drejtuar nga Faik Konica, si dhe mjaft figura të shquara atdhetare u bënë “vatra” e mbështetjes së Shqipërisë në shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali dhe e mbrojtjes dhe ruajtjes së pavarësisë së Shqipërisë. Ishte aksioni politik-diplomatik i shqiptarëve të Amerikës dhe veçanërisht i Fan Nolit që siguruan përkrahjen e presidentit Udrou Uillson, që në Konferencën e Paqes në Paris më 1920 solli edhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Këtë ngjarje historike Fan Noli do ta quante si kontributin e tij më të madh.
 
Amerika u bë edhe trualli i ruajtjes dhe praktikimit të lirë të gjuhës shqipe dhe traditave kombëtare. Nuk ishin vetëm Noli dhe Konica, por pati edhe mjaft shkrimtarë, studiues shqiptarë që jetuan dhe punuan në Amerikë.
 
Me ndryshimet historike në Shqipëri pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, me lindjen dhe vendosjen e sistemit demokratik pluralist në Shqipëri, si dhe me shpalljen e Kosovës shtet i lirë dhe demokratik, emigrimi i shqiptarëve në Amerikë dhe vende të tjera të Europës fitoi një cilësi të re. Familjet shqiptare emigruan sa për një jetë të lirë dhe më të mirë ekonomike, aq edhe për shkollimin e fëmijëve. Tashmë mund të thuhet se në këtë Diasporë ka lindur dhe është krijuar një inteligjencë shqiptare profesionale dhe kulturore artistike. Kështu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekziston shoqata e mjekëve shqiptare, ka lindur dhe është krijuar shoqata e shkrimtarëve shqiptarë etj.
 
Libri i sapo-botuar me titullin “Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë” (Aktivitete dhe krijimtari), përgatitur nga presidenti i shoqatës zoti Adnan Mehmeti, një libër gati 500 faqe,  pasqyron gjerësisht jetën dhe veprat e shkrimtarëve në Diasporën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Senatori i  gjuhës dhe kulturës shqiptare  Prof. Peter Prifti, me rastin e krijimit të kësaj shoqate, nënvizon: “Qëllimi është i denjë dhe Shoqata do të shërbejë si shtëpi, ose fole për shkrimtarët tanë, për t’u afruar dhe për t’u njohur si kolegë, si dhe për të punuar së bashku për qëllime me vlerë”.
 
Ndërsa Ismail Kadare shkruan: “Shoqata e shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë shërben si një urë komunikimi, duke u ndier pjesëtare e ‘Republikës sonë të Letrave shqip’”.
 
Si nga libri, i cili sjell një material të gjerë e të larmishëm krijues dhe publicistik, ashtu edhe nga fakti se kam pasur fatin t’i njoh, të bashkëpunoj me ta në aktivitet të ndryshme, si panairi i librave, përurime librash, diskutime krijuese etj., këta krijues shqiptarë në Nju Jork e kudo në Amerikë shquhen për dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Kjo duket qartë edhe në debatet dhe shkrimet për njëri-tjetrin ku, krahas mendimit të lirë dhe kritik, ndjehet fryma e përkrahjes. Kjo është mbresëlënëse për mua që kam jetuar dy realitete, atë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shqipëri në kohën e regjimit totalitar, ku anëtarët e kësaj Lidhjeje shqyenin njëri-tjetrin, madje disa syresh si bashkëpunëtorë të famëkeqit Sigurimi i shtetit i shpunë disa shkrimtarë-kolegë gjer në litar. Mjafton të njihesh me botimet e Dashnor Kaloçit për Kadarenë dhe të ngjethet mishi nga denoncimet e shkrimtarëve për njëri-tjetrin e veçanërisht për  Kadarenë.
 
“Ne e kemi konsideruar dhe do ta konsiderojmë lidhjen tonë si një grupim kolegësh e miqsh të një ideali. Nuk na ka bashkuar asnjë interes, por na ka bashkuar ndjenja humane” - shkruan  Ramiz Gjini, një nga shkrimtarët më të shquar dhe fitues i disa çmimeve dhe një nga kryetarët e shoqatës.
 
Ndërsa prof. Gjekë Marinaj, themeluesi i shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë, kujton: “Ne nuk pranuam ta politizojmë shoqatën e të qëndronim aty vetëm sa për të qenë në kryesi... Asnjë nga ne që jemi këtu nuk thamë kurrë një fjalë të keqe për dikë tjetër, ndaj kurrë nuk patëm nevojë të flasim me zë të ulët.”
 
Ndërsa në Shqipëri kryetari dhe kryesia e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve ndërrohej vetëm pas plenumeve të KQ të PPSh, që dëshmonte varësinë ideologjike dhe organizative-administrative nga strukturat partiake komuniste, në shoqatën e shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë ndiqet parimi demokratik i rotacionit të vlerave dhe meritave.
 
Ja seç na thotë presidenti i tanishëm i shoqatës, zoti Adnan Mehmeti: “Kemi pasur 5 zgjedhje të kryesisë: në mandatin e parë kryetar ka qenë Naum Prifti. Nga dy mandate pasuan Ramiz Gjini dhe Dalan Luzaj. Me dashamirësi dhe mirënjohje dëshiroj të përmend punën e tyre dhe të gjithë anëtarëve të shoqatës. Një mirënjohje të veçantë themeluesit të shoqatës, Gjekë Marinaj”.
 
Ardhja në Amerikë, për shumë shkrimtarë, mjeshtër të prozës apo poezisë, u bë edhe periudha e  një krijimtarie të re, që dëshmonte për një çlirim shpirtëror. Shkrimtarët e rinj në moshë dhe ata të rinj në krijimtari dhanë vepra të lavdërueshme, duke afirmuar veten. Tematika është e larmishme: krahas temës së të kaluarës, dhimbjeve të shkaktuara nga padrejtësitë e regjimit, vuajtjeve të papërshkrueshme nëpër burgje e internime, që jepen qartë tek poezia e Dalan Luzajt “Pantallonat e internimit”, u trajtua edhe jeta e emigrantit të ri shqiptar, dalë në botën e madhe.
 
Libri “Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë” është një kronikë gjithëpërfshirëse e veprimtarive të shoqatës, që nga panairet e librave të autorëve si: Ramiz Gjini, Adnan Mehmeti, Albana Mëlyshi Lifschin, Luigj Çekaj, Rozi Theohari, Skifter Këlliçi, Pëllumb Kulla, Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Naum Prifti, Petraq Pali, Kozeta Zylo etj., e gjer te përurimet e librave dhe botimeve të ndryshme
 
Shoqata boton edhe revistën e vet “Penan”, organ letrar-artistik kombëtar. Ajo organizon në fund të vitit konkursin e çmimit “Pena e Artë”. Fitues të çmimi kanë qenë Ramiz Gjini për romanin “Rrëketë”, që publicisti Dalip Greca e quan si “veprën më të përkryer të letërsisë shqipe”; Gjekë Marinaj për librin e tij publicistik të titulluar “Ana tjetër e pasqyrës”; Naum Prifti për librin me tregime humoristike “As Miço as Muço”; si dhe shkrimtarët: Adnan Mehmeti, Skifter Këlliçi, Petraq Pali, Selaudin Velaj, Rozi Theohari, Merita B. McCormack, Iliriana Sulkuqi etj.
 
Një vend të gjerë zënë në libër përurimet librave të shkrimtarëve të kësaj shoqate. Ato dëshmojnë edhe për rritjen profesionale të secilit prej autorëve në përurim, por edhe për frymën demokratike dhe miqësore të autorëve të referateve dhe të kumtesave.
 
Në artikullin e gazetarit të njohur Beqir Sina me titull “Sabije Dervishi Veseli promovon 5 libra në Nju Xhersi” shkruan se vitet e fundit shkrimtarët shqiptarë në Amerikë janë shtuar si bletët. Ka një “prodhimtari” të madhe, nga autorë të ndryshëm. Librat e rinj të autorëve shqiptarë po promovohen gati çdo muaj në kontinentin tonë.
 
Raimonda Mojsiu, poete e quajti kolegen e saj Sabrije Dervishi Veseli - një zë krejt i veçantë në letërsinë amerikane dhe shqiptaro-amerikane - dhe vazhdoi më tej se Sabrije Dervishi Veseli është romanciere dygjuhëshe, në gjuhët shqip dhe anglisht... se ajo është lumë dashurie për Shqipërinë dhe vendlindjen.
 
Përurimi i romanit “Shtatori i gjëmës së madhe” i intelektualit publik, shkrimtarit, komentuesit dhe gazetarit, Skifter Këlliçit, u bë një ngjarje e shënuar kulturore. Skifter Këlliçi na sjellë një këndvështrim tjetër, madje në mënyrë krejt origjinale të ngjarjes  tragjike  të sulmit terrorist mbi dy kullat binjake dhe Pentagon më 11 shtator 2001.
 Skifter Këlliçi, siç shkruan Mëhill Velaj, është një autor që me mjeshtëri e talent krijon si personazhe kryesore edhe ata të mjedisit, të cilët i portretizon me ngjyra plot kontraste.
Libri “Shtatori i gjëmës së madhe” është sa një roman emocional, aq edhe dëshmi kulturore e një ngjarjeje që tronditi botën.
 
Poeti Adnan Mehmeti është autor i disa librave si: “Diellin e kam futur në xhep” (2001),
“Ikje nga vetmia” - poema, Dallas, 2004; “Leave the door open” - poezi në anglisht; “Deti në mes” - poezi, 2008; “Gjekë Marinaj më shumë se poet” - publicistikë.
 
Poeti Adnan Mehmeti u vlerësua nga mjaft kolegë në përurimin e librave të tij, të cilët u shprehën se krijimtaria e tij është një metaforë e lindjes dhe lulëzimit të letërsisë shqipe në tokën e bekuar të Amerikës. Tek poeti Adnan Mehmeti janë skalitur dy tipare krijuese e njerëzore - frymëzimi poetik dhe fisnikëria njerëzore. Prof. Peter Prifti thotë: “Ai më bën përshtypje shumë të mirë si njeri, si burrë i urtë e fisnik, i buzëqeshur dhe i dashur. Prandaj ndihem i privilegjuar që e njoh jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri edhe si mik, madje edhe si atdhetar nga më të mirët.”
 
Në gjirin e bashkësisë së shkrimtarëve në Diasporë shquhet poeti Luigj Çekaj. Krijimtaria e tij, që në hapat e para, tërhoqi vëmendjen dhe vlerësimin e shkrimtarit të madh kombëtar Ismail  Kadare i cili, pas botimit të parë, i shkruan poetit Luigj Çekaj: “Libri juaj poetik ka qenë një zbulim për mua, së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju  dëshmoni për kalvarin tuaj... Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë.” (I. Kadare, Letër, Paris, 28 nëntor 1998.)
 
Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike-politike, por darë dhe çekan ndaj regjimit të pashpirt, të egër të regjimit totalitar-komunist.
Libri i Luigjit “Nënë, ti hije kaltër prej loti” në gjykimin e profesor Gjekë Marinajt është ndër arritjet më të shënuara në bibliotekën krijuese të shkrimtarëve të Diasporës shqiptare në Amerikë.
 
Në një mendim përmbledhës do të shtoja se letërsia shqiptaro-amerikane është një letërsi e mallit, e dhimbjes, por edhe letërsi e kujtesës dhe e dashurisë për atdheun, një letërsi e shqetësimeve të shumta tematike dhe motivesh, e cila dita-ditës po përparon e brumoset me vlera serioze estetike.

Kjo ese për shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë është vetëm një skicë, apo një hyrje për gjithë atë pasuri letrare dhe kulturore të krijuar në një hark kohor 10-12 vjeçar, periudhë që nga koha e krijimit të kësaj shoqate.
A
Shembulli i saj do të vlente ndofta, sado pak, edhe për krijuesit tanë në Shqipëri që gjatë këtyre 25 vjetëve, nuk kanë krijuar një Lidhje ose shoqatë dinjitoze për të bashkuar forcat letrare dhe krijuese. Përvoja e shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në Diasporë dëshmon se kryesore është ndjekja e parimeve demokratike dhe atyre të dashurisë dhe nderimit të krijuesve për njëri-tjetrin. Rëndësi do të kishte dhe kapërcimi i gërr-mëreve të trashëguara nga e kaluara moniste dhe mbi të gjitha largimi nga politizimi partiak, që nxit ndarjet dhe përçarjet.
 
Organizimi dhe puna e shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë janë për t’u lakmuar, sepse aty puna bëhet me përkushtim, me shumë dashuri dhe dashamirësi ndaj artit dhe ndaj njëri-tjetrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat