Pavarësia vlerë e pavdekshme e sakrificës sonë

Amerika

Pavarësia vlerë e pavdekshme e sakrificës sonë

Harry Bajraktari Nga Harry Bajraktari Më 17 shkurt 2017 Në ora: 07:17
Ilustrim

Sot kremtojmë nëntë vjetorin e krijimit të shtetit të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, kujtojmë të gjitha sakrificat që u bënë për të. Për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, populli ynë u desh të kalojë një rrugë të gjatë e të vështirë 100 vjeçare duke dhënë çdo gjë nga vetja e tij, që tash të jemi një vend i lirë e demokratik me orientim perëndimor. Gjatë këtyre 9 vjetësh të shtetësisë së Kosovës, vendi ynë u njoh nga 113 shtete të botës, edhe përkundër shumë pengesave që ua shkaktoi Serbia dhe një numër i vendeve të bllokut të Lindjes.

Kosova sot është bërë e njohur në sportin botëror, në art e sidomos në fushën e muzikës dhe filmit.

Vendi ynë si një shteti i ri ka mbështetjen e paluhatshme të SHBA dhe të vendeve të Bashkësisë Evropiane, por udhëheqja e Kosovës duhet të bëjë shumë më tepër në rrugën demokratike, të përgjegjësisë ligjore dhe në eleminimin e të gjitha formave të krimit të organizuar, duke krijuar drejtësi dhe siguri për të gjithë. Kosova ka nevojë të ecë me hapa më të shpejtë përpara për t' u bërë pjesë e BE dhe e NATO-s, si dhe e organizatave të tjera kulturore, si është UNSCO.

Sot duhet të kujtojmë edhe krijuesin e pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën dhe komandantin legjendar, Adem Jasharin dhe të gjithë ata që flijuan jetën për këtë ditë që e gëzojmë të gjithë së bashku. Ky përvjetor dhe çdo përvjetor tjetër i pavarësisë së Kosovës, do të jetë ngjarje e madhe historike, si vlerë e pavdekshme sot dhe nesër për brezat e ardhshëm.
Kosovë, urime 9 vjetori i Pavarësisë!
New York, 2017

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat