Me mbresat më të mira, nga shkolla shqipe “Gjuha jonë”, në Filadelfia

Amerika

Me mbresat më të mira, nga shkolla shqipe “Gjuha jonë”, në Filadelfia

Nga: Vasil Filipi Më: 3 mars 2017 Në ora: 15:57
Nxënësit në shkollën "Gjuha jonë"

Po bëja kohë qëkur  nuk kisha qenë te Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Fildelfia të Amerikës. Puna, shkolla e fëmijëve, hallet dhe problemet e familjes, ishin shkaku i kësaj shkëputjeje. Prandaj vendosa që, të dielën që po afrohej, të shkoja tek ata. E dija qysh më pare, se ditët: e mërkurë, e shtunë dhe e diel, në ndërtesën e Shoqatës, gjen anëtarë të këshillit drejtues. Por vendosa që të shkoja të dielën, për arsye se, në këtë ditë, bën mësimin shkolla shqipe.              

I hipa autobusit dhe zbrita në stacionin, që është pranë Shoqatës. Ato 150 e deri 200 metër largësi, që ndajnë stacionin, ku zbrita, me ndertesën e saj, i bëra në këmbë. Së largu, vura re dy flamujt, atë amerikan dhe shqiptar, që valviteshin mbi ndërtesë. Janë dy simbole të dallushme, që lënë të kuptosh, për të gjithë kalimtarët, se në atë ndërtesë zhvillon veprimtarinë një shoqatë Shqiptare-Amerikane, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, emri i së cilës lexohet qartë, në tabelën e vendosur mbi hyrjen e ndërtesës.        

Dera e Qendrës Kulturore ose “Shtëpia e Shqiptarit”, siç ia kanë vënë emrin bashkatdhetarët e Bashkësisë Shqiptare të Filadelfias, ishte e mbyllur. Të paktën, kështu dukej nga larg. Kjo gjë më bëri të dyshoj se, ndoshta, këtë të diel, shkolla mund të kishte pushim. U gabova, sapo vura dorën mbi dorezën e derës, kur dëgjova zërat e fëmijëve, të cilët këndonin Himnin Kombëtar Shqiptar.     

Hapa derën me kujdes dhe pashë brenda grupin e fëmijëve, që me pëllëmbën e dorës së djathtë, të vendosur pranë zemrës dhe me vështrimin nga qoshja e sallës, ku është vendosur Flamuri shqiptar, sapo përfunduan së kënduari: “….Kush është burrë nuk friksohet/por vdes, por vdes si një dëshmor!”. Në përfundim, gjithë grupi duartrokiti. Duartrokita edhe unë.          

Image

Mbas përfundimit të Himnit tonë Kombëtar, grupi u shpërbë, në grupe më të vegjël dhe, me në krye mësueset, morën drejtimin për në klasat e tyre. Në sallën kryesore ngeli pjesa më e madhe e fëmijëve, të cilët u ulën pranë tavolinave, të ndarë në dy grupe, ai i klasës së tretë dhe ai i klasës së dytë. Fëmijët e klasës së katër e të pestë zbritën poshtë, në sallën e bibliotekës së librit shqip, “Prof. Anastas Dodi”. Kurse ata më të vegjëlit, të klasës së parë, u ngjitën shkallëve, për në katin e dytë.         

Takuam disa nga anëtarët e këshillit drejtues, që ishin aty, në atë cast, si: Tajar Domi, kryetari i Shoqatës; Llazar Vero e Dritan Matraku, zëvendëskryetar i dytë; Bujar Çela, Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, si dhe prindërit: Milot Rukiqi, Fitim Hamza ose dhe Denis Çela. Mbasi i sjellin fëmijët në shkollë, për shkak të largësisë së vendbanimit, ata qendrojnë aty, deri në përfundim të mësimit.

Për të mos prishur qetësinë e mësimit dhe për të biseduar qetë, na ftojnë që të ulemi në klubin e Shoqatës. Atje, përpara një filxhani me kafe ose dhe një gotë rakie, që na i server me shumë kulturë Llazar Vero, fillojmë bisedën. Në krye të lokalit ndodhet një televizor i madh, që trasmetonte një kanal televiziv shqiptar. Duke zhvilluar bisedën, me pyetje e përgjigje, u njohëm me organizimin dhe veprimtaritë e shkollës shqipe, që më pëlqente të dëgjoja më tepër.

“Është i treti vit që, me propozim të mësueseve dhe miratimin tonë e të prindërve, e kemi shtuar kohën e mësimit në shkollë, nga dy në tre orë. Kështu që, tani, mësimi fillon në ora 9 e 30 minuta dhe përfundon në ora 12 e 30 minuta”, - nisi të më tregonte Tajar Domi dhe më tej vazhdoi: “Siç e dini, shkolla shqipe “Gjuha jonë”i  zhvillon mësimet në ciklin -vjeçar, sipas klasave, nga e para, ajo e abetares, deri në të pestën dhe me programe të rregullta, sipas lëndëve që zhvillojnë. Për çdo lëndë, në fund të vitit shkollor, testohen dhe vlerësohen:   

-Klasa e parë, për abetare dhe këngë.  
-Klasa e dytë, për lexim, njohuri fillestare në gjuhën shqipe dhe këngë.   
-Klasa e tretë, si klasa e dytë, por më të prparauara.        
-Klasa e katërtë, për lexim, gjuhë shqipe, njohuri për historinë dhe këngë.         
-Klasa e pestë, për lexim, gjuhë shqipe, histori dhe bashkëbisedim.          

Një rëndësi të madhe, mësueset i kushtojnë mësimit të vjershave dhe këngëve, të cilat përbëjnë edhe pjesën kryesore të programit.Fëmijët i tregojnë ato para prindërve, në festat e fundvitit, si për ato të 7-8 Marsit, festën e mësuesit dhe të nënës, si dhe në mbyllje të vitit shkollor, kur shpërndahen dëftesat. Po qe se do të jeni këtu, mbas një jave, do të shikoni ato, që fëmijët tanë kanë përgatitur për festat e 7-8 Marsit, - na ftoi Tajari, në mbyllje të bisedës së tij të detajuar.  

Në përfundim të orarit të mësimit, një grup i zgjedhur i fëmijëve, që përbëjnë grupin artistik të shkollës, nën drejtimin e mjeshtërit, kompozitorit Hamdi Gjana, mësojnë këngët, vetë ai përgatitë vazhdimisht për ta. Ky grup e përfaqëson shkollën në festivalin e fëmijëve, në Nju Jork, si dhe jep shfaqje, në përfundim të vitit shkollor dhe në mbrëmjen festive të Pavarësisë së Shqipërisë.

Çdo muaj është caktuar një anëtar i këshillit drejtues të kësaj Shoqate, që kujdeset direkt për shkollën. Ai pret e përciell fëmijët, si dhe interesohet për ndonjë problem, që mund të dalë gjatë mësimit. Ja, në këtë muaj, e ka këtë detyrë  Dritan Matraku. Por kjo nuk do të thotë që të tjetrët nuk janë pranë shkollës, çdo të diel.     

Në bisedë e sipër vijnë edhe anëtarët e tjerë të këshillit drejtues të kësaj Shoqate: Sadik Elshani, Haki Çollaku dhe Bashkim Bërdufi. “Ka prindër që janë larg prej këtu, - tregon Llazar Vero.- Mbasi i sjellin fëmijët, nuk largohen, por qendrojnë këtu, deri në përfundim të mësimit. Gjatë kësaj kohe, pijnë një kafe në lokalin tone ose shijojnë edhe ndonjë diçka tjetër, si dhe shkëmbejnë biseda me ata, që ndodhen aty. Pëveç këtyre, ka prindër që ose qendrojnë, mbasi sjellin fëmijët e pijnë një kafe dhe pastaj largohen për të ardhur përsëri në ora 12 e 30 minuta, ose vijnë, para përfundimit të mësimit, e shijojnë kafenë, në pritje për të marrë fëmijët. Për këtë qëllim, shërben kjo sale, për të cilën e ngritëm para disa vitesh”.     

“Zakonisht, ne jemi këtu, të mërkurave, të shtunave dhe të dielave, -vazhdon të tregojë Llazari. -Këto janë tri ditë, kur Qendra Kulturore është e hapur për të gjithë. Por kjo nuk do të thotë që nuk e hapim edhe në ditët e tjera, kur vijmë për punë e probleme të ndryshme të Shoqatës. Orari, përgjithësisht, është ai, që kemi edhe për shkollën shqipe, ditët e diela”. 

Image

Ndërkohë, para se të fillonte pushimi, midis orëve të mësimit, erdhi dhe Bujar Gjoka, zëvendëskryetar i parë dhe përgjegjës i financës së Shoqatës. Ai solli disa ushqime dhe lëngje frutash, që kishte blerë për fëmijët.

“Në pushimin, ndërmjet orëve të mësimit, - filloi të tregonte ai, - ne u japim diçka fëmijëve: një pako të vogël me biskota, një vafer, ndonjë çokollatë, si dhe ndonjë shishe ujë apo lëng frutash. Fëmijët e dinë këtë dhe, sapo mësuesja njofton pushimin, ata afrohen pranë tavolinës ku janë përgatitur më parë at,o që do t’u shpërndahen atyre. Për këtë gjë, interesohet ai, që ka muajin e kujdesit të shkollës, por edhe kryetari Tajar Domi, Llazar Vero, si dhe ndonjë prind. Ndër këta, dallohen Milot Rukiqi e Fitim Hamza, që nuk përtojnë asnjëherë për t’u shërbyer fëmijëve. Në çdo fund muaji, festojmë datëlindjet e atyre fëmijëve, që e kanë patur atë festë të gëzuar, gjatë atij muaji. Për këtë arsye, Shoqata jonë përgatit një tortë të madhe, ku sipër shënohen emrat e fëmijëve, që kanë datëlindjen. Por edhe prindërit e fëmijëve japin ndihmesën e tyre”. 

Në pushimin ndërmjet orëve të mësimit, u prish qetësia, në Qendrën Kulturore. Fëmijët, nga të gjitha klasat, u mblodhën në sallën kryesore. Kishin festimin e datëlindjes katër fëmijë: Amalia Molla, Aiden Sanxhaku, Elio Lefta dhe Vanesa Agolli. Femijët i rrethuan bashkënxënësit e tyre, që kishin datëlindjen dhe filluan këngën “Shumë urime për ju…..”. Mbas shuarjes së qirinjëve, Bujar Gjoka shpërndau dhuratat, që ishin përgatitur për ata. Pastaj, të gjithë bashkë, shijuan edhe tortën e datëlindjeve.
Në pushim u takuam me grupin e mësueseve, që bisedonin dhe tregonin diçka nga ora e mësimit ose shkëmbenin përvojën e punës në mësimdhënie. U afruam te grupi i tyre. Ishin Raimonda Bardhi, Kozara Doko, Irini Zenelaj e Shpresa Rama, të cilat kanë vite që japin mësim në këtë shkollë, por edhe e reja Elvana Pone.            

“Sa bukur dhe emocionuse është, kur dëgjon këta fëmijë të shkollës “Gjuha Jonë”, që e flasin drejt e pa gabime, gjuhën shqipe, - filloi të na tregojë Raimonda Bardhi, një nga mësueset më të vjetra dhe drejtore e kësaj shkolle.-Por më bukur është, kur shprehen nëpërmjet recitimeve, me ndryshime të zërit, duke i përciellë të gjalla ato ndjenja dhe kulturë të trashëguara nga të parët tanë, nga pena e artë e Naimit, Migjenit, Gjergj Fishtës, Asdrenit etj. Me të drejtë, krenohemi e themi:-Kemi bërë detyrën më njerëzore në botë, duke përciella vlerat më të vyera të identitetit dhe Kombit tone dhe ua lëmë trashëgim këtyre engjëjve, për ta çuar më tej, në rrugën tonë të diturisë”.      

Menduam të vizitonim edhe fëmijët, në klasat e tyre. Në klasën e parë, ku është mësuese Irini Zenelaj, nxënësit po përgatisnin tri këngët e programit, për festën e 7-8 Marsit.

U ulëm në një nga bankat e klasës dhe ndoqëm përgatitjen e tyre. Nuk kisha si të mos emocionohesha, kur fëmijët këndonin në shqip, aq bukur dhe, me shoqërimin me duar, që i bënin këngës, të kënaqnin pa masë. U bëra një foto dhe mbasi falenderuam mësuesen Irini, për pasionin që tregon ndaj fëmijëve, dolëm nga klasa, me mbresat më të mira. Në klasat e dytë, të tretë, të katërt e të pestë, ndoqëm, për pak çaste, mësimet në to dhe bëmë foto të fëmijëve, duke ndjekur mësimet.   

Siç na tha Vlashi Fili, sekretari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, vitet e fundit numëri i nxënësve, që ndjekin shkollën “Gjuha Jonë”, është në shifrat 50 deri 60 veta. “Në vitin arsimor, që po vazhdon,-shtoi  ai,- janë rregjistruar 52 fëmijë. Por ne jemi të pakënaqur me këto shifra dhe duam të kemi sa më shumë fëmijë, mbasi numëri i familjeve shqiptare, në Filadefia, i kalon 5.000. Deri sot, nga kjo shkollë, kanë përfunduar ciklin 5-vjeçar rreth 600 fëmijë, shumica të lindur këtu, në Amerikë dhe që, në përfundim të shkollës, kanë marë dëshmine përkatëse”.  Më tej, ai vazhdoi: “E rëndësishme është që të flitet shqip në familje, mbasi, në të kundërt, edhe ajo që mësohet në shkollën tonë, harrohet, në vitet në vazhdim”. 

Vlashi më tregoi edhe një poezinë “Flisni shqip!”, që kishte shkruar, duke u nisur nga pohimi, që tha më sipër. E quajtëm me vend, që atë ta vendosnim në këtë reportazh:  “Jam i vogël, jam fëmijë,/kam nevojë për ndihmën tuaj,/që në fis, me njerëzit e mi,/mos ta kem si gjuhë të huaj./Shokëve dua që t’u them:/Kjo është gjuhë e nënës sime/dhe krenar për ju të jem,/për së gjalli e ne kujtime./Ndaj, ju prindër, u kërkoj:/Në shtëpi të flisni shqip,që dhe unë ta mësoj,/ta mirë dhe mos ta harroj!”.         

…Koha e mësimit mbaroi dhe fëmijët, një e nga një, së bashku me prindërit e tyre, u larguan nga shkolla e tyre e dashur, me emrin simbolik “Gjoha Jonë”. Kështu, Qendra Kulturore ra përsëri në qetësi. 

U përshëndetëm me anëtarët e këshillit drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe u larguam, me mbresat më të mira, për këtë shkollë shqipe, që vazhdon pa ndërpreje, qysh prej 13 vitesh, t’u japë fëmijëve të bshkësisë shqiptare, në Filadelfia, një “ushqim” të veçantë, gjuhën shqipe.

Urimet më të mira, për këtë shkollë dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, që kujdeset për të. Pastë jetën e suksesshme dhe sa më të gjatë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat