Me rastin e 15 Vjetorit të Themelimit të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia

Amerika

Me rastin e 15 Vjetorit të Themelimit të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia

Nga: Sadik Elshani Më: 30 maj 2017 Në ora: 05:08
Me rastin e 15 Vjetorit të Themelimit të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia

Ky është një vit i shënuar për shoqatën tonë – festojmë 15 Vjetorin e Themelimit dhe të qenjes së saj. Që nga koha e Rilindjes sonë Kombëtrae (ndoshta edhe më herët) e këndej, shoqatat atdhetare të mërgimtarëve shqiptarë kanë luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e arsimit, letërsisë, artit e kulturës sonë kombëtare. Po ashtu, ato kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për ruajtjen e gjuhës, traditave tona kombëtare, si dhe në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, zgjimin kombëtar në përgjithësi. Ato ishin vatra të vërteta ku shqiptarët u brumosen me idetë atdhetare, ndjenjat e atdhedashurisë dhe nder vite e shekuj e mbajtën të gjallë frymën dhe qenjen shqiptare.

Image

Për rolin e saj që luajti gjatë historisë sonë kombëtare, Federata Gjithëshqiptare “Vatra” u bë shembull udhërrëfyes sesi duhet organizuar e vepruar për të mirën e atdheut dhe të çështjeve madhore të kombit tonë. Në krye të këtyre shoqatave qëndronin njerëz idealistë, atdhetarë, vetemohues, që çështjet, interesat e atdheut i kishin vënë para interesave të tyre vetjake. Për Shqipëri ata sakrifikuan cdo gjë, madje shpesh edhe jetën e tyre.

 Edhe shoqata jonë, si dhe shoqatat tjera më të hershne të mërgimtarëve shqiptarë, u krijua për të dhënë një ndihmesë për  ruajtjen e gjuhës,kulturës dhe traditave tona të shkëlqyera dhe për të zhvilluar një veprimtari të organizuar si bashkësi shqiptare. Është ky një rrugëtim i bukur pesëmbëdhjetëdhjetevjecar, rrugëtim i bukur atdhetar, janë keëo vite përpjekjesh, vite të një pune të palodhshme e të pandërprerë dhe plot përkushtim për t’i arritur synimet dhe qëllimet tona. Gjatë këtyre viteve janë zhvilluar një varg veprimtarish të llojllojshme dhe këtë falë angazhimit këmbëngulës të veprimtareve të shoqatës sonë. Shoqata jonë organizon me dhjetëra veprimtari atdhetare, kulturore, përkujtimore e sportive, si: promovime të librave të autorëve të Filadelfias, diasporës e trevave shqiptare, përkujtime të fytyrave të ndritura të kombit tonë, ngjarje të rëndësishme historike.

Image

Çdo vit me dashuri e krenari e festojmë në mënyrë madhështore 28 Nëntorin, Festën tonë Kombëtare, pavarësinë e Kosovës, festat e 7 – 8 Marsit, organizojmë piknikun veror, etj. Ndërsa nga viti 2012, në mënyrë madhështore organizojmë ngritjen e flamurit Kuq e Zi në Bashkinë e Filadelfias. Ne nëntorin e vitit të kaluar (2016) na u shtuan edhe dy veprimtari të reja të rëndësishme: pjesëmarrja në Paradën e Dites së Falenderimeve(Thanksgiving Parade) që organizohet në Filadelfia dhe tjetra, ngritja e flamurit tonë në Pennsylvania State Capitol ne Harrisburg (kryeqytet i shtetit te Pennsylvania-s) Këtu nuk ka nevojë te flitet me hollësi për veprimtaritë tona, sepse ato të gjitha janë pasqyruar në faqen e internetit të shoqatës sonë, Facebook, në shtypin e diasporës dhe atë shqiptar, si dhe në dy librat  që ka botuar shoqata me rastin e 10 Vjetorit (2012) dhe tani me rastin e 15 Vjetorit të themelimit të saj (2017). Në këta libra pasqyrohet historiku i shoqatës, përshkruhet rruga dhjetëvjecare - pesëmbëdhjetëvjecare e shoqatës sonë, veprimtaritë që ka zhvilluar shoqata, sfidat me të cilat ballafaqohet shoqata, etj. Në çdo faqe të këtyre librave rrjedh djersë, rrjedh dashuria për atdheun, kombin, gjuhën shqipe, flamurin tonë, fytyrat e ngjarjet e ndritura të kombit tonë.

Por është edhe një veprimtari që na jep një kënaqësi shpirtërore dhe na bën krenare, i jep kuptimin ekzistencës së shoqatës sonë: është funkcionimi i rregullt i shkollës shqipe “Gjuha jonë”. Këtë ne e cilësojmë si kryeveprimtarinë e shoqatës sonë. Shoqatat krijohen për të ruajtur dhe për të krijuar vlera kombëtare në mënyrë të organizuar. Misioni i shoqatës sonë është: Kujdesi dhe ruajtja e trashëgimisë, gjuhës, traditave e kulturës sonë kombëtare. E kush mund ta kryejë këtë mision më mirë se shkolla shqipe?! Shoqata jonë ka 13 vite që ka hapur shkollën shqipe ku femijët mesojnë gjuhën tonë të ëmbël e të vlerë, letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, njihen me historinë tonë të lavdishme dhe brumosen me ndjenjat e dashurisë për atdheun dhe vlerat e larta njerëzore te kombit tonë. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur i sheh femijët tanë duke folur shqip, duke lexuar e recituar shqip, duke kenduar shqip, duke lozur shqip!

Një ngjarje kyçe, ndoshta kryesore, në këtë histori të shkurtër të shoqatës sonë, është blerja dhe rregullimi i ndërtesës ku sot është vendosur dhe zhvillon veprimtarinë e frytshme e të suksesshme shoqata jonë. Pa këtë ndërtesë ne nuk do te kishim mundësi t’i bënim këto veprimtari që kemi zhvilluar gjer më tani. Për këtë ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës familjes Risilia e cila kreu detyrën e saj atdhetare, dha fondet për blerjen e ndërtesës që më vonë u bë e përdorshme falë punës vullnetare e të palodhshme të dhjetëra bashkatdhetarëve tanë. Ndërtesa e shoqatës sonë, apo siç njihet tashmë si “Shtëpia e shqiptarit”, është bërë një vatër e ngrohtë atdhedashurie për të gjithë shqiptarët e Filadelfias e më gjërë. Aty mblidhen shqiptarët, takojnë njëri-tjetrin, çmallen me njëri-tjetrin, diskutojnë dhe zhvillojnë veprimtaritë e përmendura më lart. Për shqiptarët e Filadelfias, shoqata jonë është bërë një Shqipëri - larg Shqipërisë, një vatër - larg vatrës. Me veprimtaritë dhe punën tonë po mundohemi që bashkatdhetarëve tanë t’ua lehtësojmë peshën e rëndë të mërgimit, t’ua shuajmë mallin e vendlindjes dhe t’ua mbajmë gjallë dashurinë për atdheun dhe kombin tonë. Dashuria, respekti, ndihma për njëri – tjetrin, solidarizimi me njëri – tjetrin janë vlera kombëtare, vlera njerëzore, që për fat të keq, sot janë duke i munguar shoqërisë shqiptare. Shoqatat qe mbështeten në një platformë kombëtare, udhëhiqen nga një program kombëtar dhe ku mbizoterojnë: harmonia, ngrohtësia, mirëkuptimi njerëzor, zhvillojnë një veprimtari të begatshme, e gëzojnë një jetë të shendetshme e të gjatë.

Image

Janë këto përpjekje, janë këto veprimtari që na japin kënaqësinë shpirtërore, na japin nder dhe na bëjnë krenarë, sepse edhe ne, brenda mundësive tona, me punën tonë të përkushtuar, jemi pjesë e një vazhdimësie të veprimtarive që kanë zhvilluar brezat e mëhershëm të prirë nga Noli, Konica, Kristo Dako, motrat Qiriazi e shumë të tjerë, emrat e të cilëve kanë hyrë në Panteonin e kulturës, arsimit dhe historisë sonë kombëtare.

Të ndihmosh bashkatdhetarët, të luftosh për çështjet madhore të kombit, te ruash gjuhën, kulturën dhe traditat tona të shkëlqyera, nuk është bezdisje, kokëçarje, kohë e humbur, përkundrazi, është sakrifice sublime, është një punë fisnike, një punë dhe detyrë atdhetare.Edhe ne me punën tone jemi duke u munduar, duke bërë perpjekje që edhe ky pesëmbëdhjetëshi ynë të jetë një copëz, një gur i vogël i mozaikut të arsimit, kulturës e historisë sonë kombëtare.

Deshirojmë që shoqata jonë të zgjerohet, të zhvillohet dhe të forcohet edhe më shumë në të ardhmen, duke mbajtur gjithmonë lart e më lart flamurin e shenjtë të shqiptarizmit. Jami të vetëdijshëm se bashkësia jonë shqiptare në Filadelfia ka një potencial të madh njerëzor, intelektual e profesional. Në mesin tonë kemi talentë të profileve të ndryshme dhe njerëz të përkushtuar dhe mund të bëjmë edhe më shumë, por për t’i përmbushur këto synime, për t’i arritur këto qëllime duhet një angazhim më i madh nga të gjithë bashkatdhetarët, sidomos te rinjtë tanë. Nga përvoja jonë, tani disavjecare, po duket qart se, ajo që po na mungon është përkushtimi,këmbëngulja, vendosmëria, vullneti i mirë, ndjenja e sakrificës për të bërë diçka më tepër se vetja jone. Asnjë punë nuk kryhet vetëvetiu, çdo punë kërkon angazhim! Prandaj, do t’u kishim lutur të gjithë bashkatdhetarëve tanë, të gjithë të rinjve tanë që t’i bashkohen shoqatës dhe me punën e tyre të përkushtuar t’i çojnë edhe më tutje nismat, ëndrrimet tona. Të synojmë që edhe shoqata jonë një ditë të festojë 100 vjetorin dhe pse jo edhe më shumë. Por, për këtë shoqatës i duhet gjak i ri, i duhet një përttrirje, i duhen synime, qasje dhe horizonte te reja. Dhe ky gjak, kjo përtrirje është rinia jonë.

Në këtë çast solemn u bëjmë thirrje edhe njëherë të gjithë bashkatdhetarëve që t’i shtojmë përpjekjet tona, të angazhohemi me mish e shpirt që shoqata jonë të vazhdojë me sukses rrugëtimin e nisur, misionin e saj atdhetar e kulturor dhe të qendrojë si njëra ndër shoqatat më të organizuara e më aktive shqiptare, jo vetëm këtu në Amerikë, por në të gjithë botën shqiptare.

Në këtë përvjetor  të shënuar, shoqatës sonë i urojmë mbarësi e përjetësi! Gëzuar!

 

Filadelfia, 29 maj, 2017

 

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat