Misioni i veçantë i Vlashent Satës: “Në New York, për të përfaqësuar vlerat e kulturës shqiptare”

Amerika

Misioni i veçantë i Vlashent Satës: “Në New York, për të përfaqësuar vlerat e kulturës shqiptare”

Nga: Valeria Dedaj Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 19:01
Vlashent Sata

Në një kohë që imazhi i Shqipërisë jashtë kufijve po has ditë të vështira, misionarët e kulturës po përpiqen të nxjerrin në pah vlerat e saj. Gjuha, është ajo më e drejtpërdrejta, nëpërmjet artit dhe destinacioni është New York-u. Vlashent Sata është i përzgjedhuri, tingujt, fjalët dhe kënga janë arma e tij e fortë.

“Unë shkoj për promovimin e vlerave shqiptare përpara amerikanëve dhe jo vetëm”, shprehet kantautori, duke theksuar përgjegjësinë dhe kënaqësinë, që është pjesë e kësaj eksperience të veçantë. Mbrëmja do të jetë elitare, me të ftuar të rëndësishëm si diplomatë dhe zyrtarë nga Kombet e Bashkuara dhe Komuniteti shqiptaro-amerikan etj. Do të jenë të pranishëm krahas medies edhe emra të njohur nga bota e artit, kulturës, modës dhe kinematografisë. Por misioni i Satës në këtë event, shtrihet në një dimension edhe më të gjerë atdhetar e shpirtëror. “E veçanta e gjithë kësaj është, sepse unë do të përfaqësoj kulturën shqiptare edhe me flamurin e Kosovës, e kjo është ajo çka më fal edhe më shumë krenari”, shprehet Vlashenti.

Bashkimi i dy vendeve, nëpërmjet artit elitar është një nismë që ai e ka përzemër dhe për të cilën është munduar të kontribuojë edhe më herët.

“Albumi im “Hana” ka patur disa mbështetës të huaj dhe shqiptarë, midis tyre edhe Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, dhe m’u duk e drejtë dhe prandaj vendosa që ato para të përfitonin po shqiptarët. Kështu zgjodha që muzikantët, për mendimin tim nga më të mirët që ne kemi, në Shqipëri dhe në Kosovë, e midis kësaj ure të përfitonte edhe ekonomia jone vendase. Edhe studio ku u regjistrua albumi është në Kosovë. Pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve në projektin e albumit ishin nga Kosova në fakt. Për mua ishte një mënyrë për t’i bërë dy vendet bashkë”. I entuziazmuar kantautori thekson se bashkimi kulturor i dy vendeve është ajo çka e prek më tepër.

“Po shkoj si të themi, me ‘pasaportë të Kosovës’”, shton ai me humor. Performanca e Satës do të përfshijë këngë nga repertori i tij, si dhe këngë të vjetra edhe arbëreshe në versionin jazz-folk. Ai e shikon këtë eksperiencë, si një mënyrë fantastike për të eksportuar kulturën shqiptare jashtë vendit, para publikut amerikan, por edhe për amerikano-shqiptarët si dhe brezin e ri të lindur anë Amerikë.

“Ndihem shumë i lumtur që jam një nga të përzgjedhurit si ambasador i kulturës shqiptare tashmë jo vetëm në Europë, por edhe përtej oqeanit. Të përfaqësoj Kosovën, duke qenë nga Shqipëria dhe me një album të mbështetur nga Ministria e Kulturës shqiptare për mua do të thotë të përfaqësoj dy vendet, që kam kaq shumë përzemër”. Ky event është një iniciativë e zotit Ylber Kryeziu dhe e konsullatës së Kosovës në Neë York, si dhe me mbështetjen e Fadil Berishës, i cili njihet tanimë si një nga promotorët më të mëdhenj të artistëve shqiptarë jashtë vendit. “Fadil Berishës sigurisht që i takon një mirënjohje e veçantë, madje mund të themi se ai konsiderohet si një institucion, për ndihmën që u ka dhënë shumë artistëve shqiptarë për të promovuar talentin e tyre në fusha të ndryshme, në një vend si Amerika”, thekson Sata.

Biografi
Vlashent Sata (1983) është kantautor, kompozitor dhe multi-instrumentist. U lind në Tiranë në një familje muzikantësh. Ngjitet në skenë për herë të parë, si këngëtar solist në moshën 5-vjeçare. Në të njëjtin vit fillon pianon. Vlerësohet me çmime në të gjitha festivalet për fëmije që merr pjesë. Pasi përfundon Liceun Artistik në vitin 2002 vazhdon studimet në Francë, ku diplomohet me Medaljen e Artë nën kujdesin e pedagogëve dhe solistëve me emër, si Denis Pascal dhe Romano Pallottini. I formuar si muzikant klasik e me dëshirën për të transmetuar njohuritë e përftuara diplomohet për pedagogji.

Në vitin 2011 emërohet profesor i pianos në konservatorin “Gabriel Fauré” dhe “Paul Ducas” të Parisit dhe në të njëjtin vit jep recitalin e parë në Francë me krijimet e tij si kantautor. Koncertet renditen qoftë si instrumentist i muzikës klasike, e qoftë si kantautor, duke mos lënë mënjanë bashkëpunimet me artistë të botës së kinemasë, teatrit, poezisë apo artit koreografik. Në vitin 2016 nxjerr albumin “Hana”, i cili gëzon kritika e shkëlqyera, si në vendlindje ashtu edhe në Francë. Albumi “Hana”, i cili është i gjithi në shqip, transmetohet në disa radio prestigjioze në Francë, SHBA, Belgjikë, Canada, Spanje, Kinë etj.

Përveç kësaj ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare si, Ballkan Trafik në Bruksel, PriFilmfestiaval, ku ka përfaqësuar Shqipërinë etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat