Magjia e vargjeve të një poeteshe “të panjohur”

Amerika

Magjia e vargjeve të një poeteshe “të panjohur”

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 1 janar 2018 Në ora: 00:50
Eshref Ymeri

Para do kohësh dhe pikërisht më 08 dhjetor 2017, poetesha e talentuar Armela Hysi, në Portalin “Fjala e lirë”, kishte botuar një artikull, me titull “Një urim për një Zonjë të Letrave Shqipe”, kushtuar shkrimtares dhe publicistes së shquar, Zonjës Vilhelme Vrana Haxhiraj, me rastin e 73-vjetorit të lindjes së saj.

Me bëri shumë përshtypje ngrohtësia e ndjenjave të saj, të cilat i përcillte me shumë respekt dhe me shumë objektivitet në adresë të Zonjës Vilhelme. Prandaj, në rubrikën “Komente” të Portalit në fjalë, i shpreha kësaj poeteshe vlerësimet e mia për artikullin e saj. Pikërisht Zonja Vilhelme ishte ajo që u bë sebep për të shkëmbyer adresat elektronike me poeteshën Armela Hysi, e cila para do ditësh më dërgoi me postë elektronike katër vëllime të saj poetike: 1. “Amazonë prej rëre” (Botimet Toena. Tiranë 2005). Vlerësimi kritik: Stefan Martiko dhe Visar Zhiti. 2. “Ndoshta” (Botimet Toena. Tiranë 2010). Vlerësimi kritik: Stefan Martiko. 3. “Ujdhesës së përrallës tënde” (Shtypshkronja “Milosao”. Sarandë 2013). Vlerësimi kritik: Stefan Martiko dhe Prof. Fatmir Terziu). 4. “Po të mos ishte rëra” (Shtypshkronja “Milosao”. Sarandë 2016). Vlerësimi kritik: Fatmir Terziu.

Por këto nuk janë vëllimet e vetme të poeteshës. Ajo ka botuar gjithsej gjashtë vëllime poetike dhe vëllimin e shtatë e ka në përfundim e sipër. Ajo jeton prej vitesh në Greqi, ku ka krijuar poezi me një lirizëm befasues. Poezitë e saj të mahnisin me forcën dhe çiltërsinë e ndjenjave, me peshën e muzikalitetit, me larminë dhe risinë e ritmeve. Ato bien në sy për begatinë e metaforave dhe të epiteteve, me rimat e brendshme dhe aliteracionin. Poetesha ka një ndjesi delikate ndaj natyrës. Kur lexon poezitë e saj, të ngjallen përfytyrime tablosh të detit blu, tek tretet tej në horizont me kaltërsinë e qiellit të paanë. Përshkrimet e natyrës në penën e poeteshës herë-herë shoqërohen me nota filozofike. Në to tingëllon ideja e pavdekësisë së natyrës, e zhvillimit të saj të amëshuar.

Diapazoni poetik në vargjet e kësaj poeteshe të talentuar ka një gjerësi të mahnitshme. Aty lexuesi ndien fshikullin hijerëndë majakovskian, i cili vjen e ndërkëmbehet me përkëdhelinë e lirizmit dehës shelian. Prandaj në poezitë e saj bashkëjetojnë akulli me flakën, rreptësia me butësinë (delikatësën)

Në këndvështrimin tim, tonaliteti i përgjithshëm i poezisë së Armela Hysit është optimist. Në tablotë e bukura poetike që shpalosen para lexuesit, autorja herë prehet në vorbullën e problemeve sociale të jetës shqiptare, herë arratiset në brendinë e shqetësimeve tërësisht individuale, me një domethënie përgjithësuese.

Mendoj se vlerësimet kritike të Prof. Fatmir Terziut, të Stefan Martikoit dhe të Visar Zhitit, si personalitete të letrave shqipe, shërbejnë si një mbështetje dhe nxitje e fuqishme për krijimtarinë poetike të kësaj poeteshe me zë në letërsinë shqipe. Më bënë përshtypje të fuqishme fjalët e poetit Stefan Martiko në analizën që i ka bërë vëllimit poetik “Ndoshta”. Ai thotë:

“Këtë poete në Shqipëri e njohin veç pak vetë. Është një nga zërat e rrallë të ligjërimit në shqip, që përhap aroma të jashtëzakonshme, frymëzim dhe përjetësi. Si frymë e thellë që vjen prej një Zoti që vë gishtin për të treguar se sa lart qëndron e vërteta e nëpërkëmbur. Bashkë me mua, le të ngrenë zërin edhe të tjerë, si filozofë të artit. Mjekë të shpirtrave njerëzorë, të bashkohen me zërin tim, që, në të vërtetë, besoj se ka një peshë tjetër më të rëndë, por që në këtë rast, ndoshta, nuk ka gjetur dot fuqinë e duhur për t’u shprehur. Me kaq pak fjalë, i tronditur prej poezisë së saj, thjesht dëshiroja të bëhesha zëdhënës i një opinioni, që, në të shumtën e herëve, nuk ka zë në dalldinë e zhurmave vdekjeprurëse, që njeriu mbart pa kuptuar të keqen që po i sjell vetes”.

Jam plotësisht në një mendje me poetin dhe kritikun  dashamirës dhe mendjehollë Stefan Martiko. Megjithatë, i bindur plotësisht për thjeshtësinë madhështore të poeteshës Armela Hysi, dëshiroj t’i përcjell optimizëm kritikut Stefan Martiko, duke i kujtuar atij një shprehje aforistike me domethënie filozofike të poetit të shquar anglez  Sheli ( Percy Bysshe Shelley - 1792-1822). Ai ka thënë:

       “Poetët e panjohur janë ligjvënësit e kohës”.

       Në këtë ditë të fundvitit, kur i hodha në kompjuter këto pak shënime, poeteshës sa të heshtur, aq edhe të

talentuar Armela Hysi, i uroj nga zemra gëzuar Vitin e Ri 2018, mbarësi familjare, suksese në punë dhe në krijimtarinë artistike, në bashkëpunim të ngushtë me vajzën e saj, e cila, si një njohëse e talentuar e greqishtes, ka përkthyer dhe botuar një cikël poetik të nënës së saj në revistën letrare greke “Mandragora”.

       Kolumbus, Ohajo

       31 dhjetor 2017

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat