Komuniteti shqiptar në Chicago mikpriti ministrin Pandeli Majko

Amerika

Komuniteti shqiptar në Chicago mikpriti ministrin Pandeli Majko

Më: 24 prill 2018 Në ora: 18:48
Foto nga Chicago

Me datë 22 dhe 23 Prill 2018, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago, në krye me Gjaneto Harusha, organizoi një pritje solemne për Ministrin e Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko. 

Gjatë qëndrimit në Chicago, Majko vizitoi kishën ortodokse shqiptare, xhaminë shqiptare, shkollën shqipe dhe disa biznese shqiptare. Po ashtu, Majko pati një takim të ngushtë me shoqatat që veprojnë në Illinois dhe Wisconsin. Në mbrëmje u organizua edhe një takim i hapur me bashkëkombësit në Chicago dhe rrethinë.

Mbrëmja solemne u hap me himnin kombëtar dhe një program të shkurtë artistik, të organizuar nga aktori i mirënjohur Pajazit Murtishi, dhe nxënësit e Shkollës Shqipe “Kongresi i Manastirit.” Pas këtij programi, fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Shqiptar, Gjaneto Harusha. Kryetari Harusha pasi përshëndeti mysafirët, ndër të tjera theksoi së “Komuniteti Shqiptar në Chicago është një vullkan energjie dhe kapitali njerëzor.” Kryetari Harusha u ndal në dy kërkesa kryesore për Ministrin Majko, ndihmesën për krijimin e një qendre shqiptare në Chicago dhe hapjen e konsullatës Kosovë-Shqipëri.

Pas Harusha, fjalën e mori Majko, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë shqiptarët në Illinois dhe rrethinë për pritjen madhështore. Ministri Majko vuri në pah sukseset dhe sfidat me të cilat është ballafaquar dhe ballafaqohet diaspora shqiptare. Ai u zotua se do të bëjë gjithë atë që është në mundësinë dhe kompetencat e tij për të realizuar kërkesat e komunitetit shqiptar në Chicago, duke e lavdëruar aktivitetin e shqiptareve nga Chicago, si në proceset e demokratizimit të Shqipërisë, po ashtu edhe në lobimin e tij në drejtim të pavarësimit të shtetit të Kosovës. z. Majko tha se po punohet për nje ligj që do të mundësonte krijimin e një fondi të posaçëm për krijimin e qendrave shqiptare në vende të ndryshme të botes.

Mbrëmja festive përfundoi me një forum pyetje dhe përgjigje për Majko, gjatë të cilit pati një interesim shumë të madh nga të pranishmit.

Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat