Kurorëzimi i punës njëvjeçare - Bota Sot
Kurorëzimi i punës njëvjeçare

Amerika

E mërkurë, 15 gusht 2018

Kurorëzimi i punës njëvjeçare

Nga: Vlashi Fili Më: 13 qershor 2018 Në ora: 15:15
Filadelfia, 11 Qershor 2018

Të mësosh gjuhën shqipe është njësoj si të duash atdheun nga kemi ardhur. Sa më shumë vite kalojnë aq më shumë vlera do të marë kjo dashuri.

Dhe erdhi qershori. Është muaj i ceremonive të shumta në mbyllje të vitit shkollor; Është muaj që më tepër se çdo muaj tjetër, sjell buzëqeshje në fytyrat e nxënësve apo studentëve. Më shumë e dukshme është kjo në nxënësit e viteve fillestare. Gëzojnë fëmijët se mbyllën një vit shkollor, gjatë të cilit shtuan dijet e tyre dhe me dëftesat në duar, mbas pushimeve verore, janë të gatshëm për tu regjistruar dhe vazhduar në një nivel më të lartë se atë që mbyllën; Gëzojnë mësueset se pasioni dhe mundi i tyre njëvjeçar, për të transmetuar tek fëmijët dijet, ka dhënë rezultatet që prisnin; Gëzojnë prindërit, se mundi i tyre, si investim që ata bëjnë për fëmijët, nuk shkoi dëm, por gëzojnë edhe drejtuesit apo organizatorët e shkollës, se rezultatet e fëmijëve janë më se të dukshme.

Kështu ndodhi edhe në shkollën shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia, që organizohet dhe përkujdeset nga shoqata “Bijtë e Shqipes”. Është i katërmbëdhjeti vit, që në këtë muaj, festohet mbyllja e vitit shkollor. Ky festim bëhet me një ceremoni të bukur dhe  shumë kuptimplote.

Dita e Dielë e 10 Qershorit ishte dita e mbylljes së vitit shkollor 2017 – 2018. Në këtë ditë, fëmijët erdhën në mjediset e Qendrës Kulturore të shoqatës, ku gjatë gjithë vitit shkolla shqipe ka zhvilluar programet mësimore sipas klasave, me tufa me lule në duar, për mësueset e tyre, si dhe me besimin se në testimet që do të bënin dhe me ato që do të tregonin, para mësueseve, prindërve, drejtuesve të shoqatës dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit tonë, kanë marrë njohuritë e duhura në mësimin e gjuhës shqipe.

Ashtu filloi kjo ditë e fundvitit shkollor. Nxënësit të ulur nëpër bangat e klasave, ku u ulën gjatë gjithë vitit, nënë drejtimin e mësueseve, bënë testin përfundimtar. Sipas programit që ka kjo shkollë, nxënësit e klasave të parë, të dytë e të tretë, testohen në diktim, kurse ata të viteve të katërtë e të pestë, në hartim, temat e të cilave janë të lira dhe zgjidhen nga vet nxënësit.

Mësueset e kësaj shkolle, Irini Zenelaj, Elvana Pone, Shpresa Rama dhe Raimonda Bardhi, si dhe nën vrojtimin e anëtarëve të këshillit drejtues të shoqatës, u kujdesën që testimet të zhvilloheshin sipas rregullave të shkollës. Ishin përgatitur fletë testimet, me vulën e shoqatës, në krye të së cilave, nxënësit shkruan emrin dhe mbiemrin, klasën, vitin shkollor, datën dhe temën e testit. Në përfundim të testimit, mësueset bënë vlerësimin për secilin nxënës dhe ato u dorëzuan në sekretarinë e shoqatës për t’u ruajtur në arkiv e dokumentave të shkollës.

Kjo ishte faza e parë e kësaj dite të mbylljes së shkollës.

Faza e dytë ishte ceremonia e mbylljes së vitit shkollor.

Rreth orës 11.00 salla e veprimtarive në Qendrën Kulturore të shoqatës, u mbush plot e përplot. Prindër, anëtarë të shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe anëtarë të tjerë të Komunitetit Shqiptar në Filadelfia, një pjesë e të cilëve qëndruan edhe në këmbë, ndoqën shfaqen që kishin përgatitur fëmijët e shkollës enkas për këtë ditë, me recitime e këngë të zgjedhura, për të treguar para tyre se sa kishin përparuar në mesimin e gjuhës shqipe.

Himni i Flamurit e çeli këtë ceremoni. Fëmijë e të rritur të ngritur në këmbë shoqëronin Himnin tonë. Pastaj, z. Tajar Domi, kryetar i radhës i shoqatës, pasi uroi, në emër të këshillit drejtues, të gjithë pjesmarrësit për mirëseardhjen në këtë ceremoni, falenderoi fëmijët, mësueset dhe prindërit, për punën e madhe njëvjeçare të bërë në këtë shkollë. Midis të tjerave ai theksoi:

“Kaluan 14 vjet nga jeta e kësaj shkolle dhe puna e fëmijëve, mesueseve dhe prindërve, ka treguar se shkolla shqipe “Gjuha Jonë” po ecën në rrugë të mbarë. Vitet që kaluan, numëri i nxënësve që kanë mbaruar këtë shkollë si dhe cilësia e të përverësuarit të gjuhës shqipe nga nxënësit, të cilët ata do e tregojnë edhe në programin që kanë përgatitur, e tregojnë më së miri këtë mbarësi”

Në fund ai përfundoi me urimin: “Gëzuar festën e mbylljes së vitit shkollor 2017-2018” dhe ia la radhën fëmijëve.

Programin e filluan Bora, Danieli, Emma dhe Oria, nxënës të klasës së parë. Më pas vazhduan, sipas programit, edhe katër grupet e tjera, Enisa, Aula, Sophia e Sameti të klasës së dytë, Blerimi, Enkela, Gracie, Klavel, Naula, Roeli, Emiliani, Arvini dhe Arti, nxënës të klasës së tretë, Alissa, Aiden, Denjol, Elian dhe Vanesa, të klasës së katërtë, si dhe Selma, Muhamet, Megi, Joana, Emma, Edvin, Arbër, Andy, Amalia dhe Alba, të klasës së pestë. Ata i kënduan gjuhës shqipe, alfabetit, abetares, shkollës, mësueseve, flamurit, atdheut, Shqipërisë, prindërve, nënës, gjyshes, zoqve, lulëkuqes, shqiponjës, shokut, etj, etj. Çdo interpretim shoqërohej me duartrokitje.

Ndarjen midis grupeve të klasave e bënte grupi artistic i shkollës, me soliste Alba Sinani, të përgatitur nga pedagogu i muzikës Olsi Turtulli.

Alba Sinani, gjatë pesë vjetëve në shkollën shqipe ka qenë vazhdimisht soliste e grupit artistik të shkollës. E shoqëruar nga grupi artistik, në këngën “Fluturo shqiponjë”, tregoi nivel mjaft të lartë. Zëri i saj buçiti në sallë. Të pranishmit, jo vetëm që e duartrokitën shumë atë, por edhe e uronin: “Bravo Alba”. Ajo ka marrë pjesë, e shoqëruar nga i gjithë gupi, edhe në festivalet e fëmijëve në Nju Jork, ku ka marrë vlerësime nga zhuritë e këtyre festivaleve. Ky grup mbylli edhe programin me këngën e gjyshes.

Pastaj e patën radhën dy anëtarë të këshillit drejtues të shoqatës, të cilët bëjnë çdo vit dhurime, Sadik Elshani, për nxënësen e hartimit më të mirë dhe Petrit Zanaj, për nxënësen me frekuentim më të mirë të klasës së parë.

Ndërsa për rastin e dytë, zgjedhja ishte më e lehtë dhe fituese ishte nxënësja Bora Vladi, për rastin e parë ishte më e vështirë, mbasi ishin disa hartime mjaft të mira, si ai i Joana Meminaj, i Edvin Qimami apo ai i Megi Billa, që dalloheshin shumë pak nga njëri-tjetri. Në përfundim hartimi më i mirë u zgjodh ai i nxënëses Joana Meminaj. Si shpërblim, të dy fitueset morën një shpërblim prej $50.

Hartimi i nxënëses Joana Maminaj të emociononte, të mbushte me gëzim qysh në pamjen e parë. Sapo e shihje atë hartim e më pas kur e lexoje nuk kishe si të mos ta përgëzojë këtë vajzë. Tema e hartimit ishte: “Pushimet verore” dhe ja si e vlerësonte mësuesja e saj znj. Raimonda Bardhi.

“Përshkrimi i hartimit të gjall emocione mbasi tregon veprimtarinë që do të kryej. Drejtëshkrimi i fjalëve dhe lidhja llogjike e tyre, tregojnë një arritje të lartë në nivelin mësimor.

Asnjë gabim drejtëshkrimi, fonetik dhe ortografik. Bukurshkrimi i saj është i përsosur”

Në fotot që do të shoqërojnë këtë shkrim do të vendosim edhe hartimin e Joana Meminaj.

Pastaj u kalua në shërndarjen e dëftesave. Sekretari i shoqatës bëri të ditur se çfarë përmbante zarfi i secilit nxënës: dëftesa me rezultatet përfundimtare, një vlerësim për nxënësit që kanë përfunduar me nota maksimale në të gjtha lëndët, një çek, si dhuratë nga shoqata, për nxënësin më të mirë të çdo klase, si dhe dëshmija e përfundimit të ciklit 5vjeçar në këtë shkollë, për nxënësit e vitit të pestë.

Emocione pati edhe shpërndarja e dëftesave, mbasi nxënsit, uleshin në gjunjë para flamurit tonë, e puthnin atë dhe e vinin në ball, mbasandej merrnin dëftesën, veprim ky që është bërë tashmë tradicional në ceremoninë e përfundimit të vitit shkollor.

Në përfundim të këtij festimi urimi: “Pushime verore të mbara dhe mirupafshim në shtator”.

Piza party e mbylli këtë festim.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test