Eliot Engel, një emër në botën Shqiptare

Amerika

Eliot Engel, një emër në botën Shqiptare

Nga: Muhamet Mjeku Më: 27 qershor 2018 Në ora: 23:55
Eliot Engel

Eliot Engel, kongresist amerikan i Bronxit, kur mësoi historinë tmerruese të holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore, vite më vonë, kishte rënë në kontakt edhe me një histori tjetër antipode e së parës se si në një territor në Ballkan, në Shqipëri dhe Kosovë, ishin shpëtuar gjithë hebrenjtë që jetonin në këto hapësira gjeografike, të ndjekur nga nacistët. Familjet dhe individët hebrenj që kërkoheshin në këtë periudhë të errët gjithandej Europës, u morën në mbrojtje nga familjet shqiptare, duke sakrifikuar jetën e tyre dhe shumëçka tjetër. Mbi këtë akt human, pas viteve të 90-ta të shekullit që lamë pas, u botuan shkrime e libra dhe u hapën ekzpozita, ku flitej për mënyrën dhe trajtimin e familjeve hebraike në Shqipëri dhe Kosovë, kur ato ndiqeshin në çdo cep nga nacistët gjermanë. Vetëm në Prishtinë asaj kohe kishte mbi 60 dyqane të hebrenjve. Kishin shkollën edhe Sinagogën e tyre. Në vendin ku ka qenë kjo Sinagogë, në shenjë nderimi për të gjithë ata hebrenj që u zhdukën në kampet naciste, është ngritur memoriali ku shkruan: "Populli i Kosovës s' do t'u harrojë kurrë"

Eliot Engel dhe personalitetet tjera amerikne me prejardhje hebraike, pas kësaj historie njerëzore të shqiptarëve, njohën dhe krijuan një imazh admirues për Kosovën, e cila ishte vënë në zjarr nga Serbia, dhe për Shqipërinë që mezi kishte dalë e gjallë nga diktatura komuniste. 
Nuk duhet përjashtuar faktin se hebrenjtë në Amerikë, në një mënyrë, deshën ta lajnë një borxh të vjetër sipas një proverbi: " Të mirën qite në det, një ditë do të kthehet në shtëpi". Edhe në këtë kontekst mund të shikohet angazhimi maksimal i ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila konsiderohet shtysja kryesore për ndaljen e kryekriminelit Millosheviq. Që të mos ndodhte një holokaust, si ai me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me Bosnjen, duhej të gjendej rruga e humbur kundër regjimit fashist në Beograd, i cili kishte projektuar zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët.

Bashkë me ligjvënsin Engel, në mesin e figurave hebrenje me ndikim që ishin në mbështetje të Kosovës, ndodheshin edhe kongresmenët tjerë, Jerry Nadlerd, Tom Lantos, Beng Gilman, senatori Ben Cardin, si dhe i mbijetuari i Holokaustit, shkrimtari Elie ëiesel.
Të njëjtit që kishin ndihmuar luftën e Kosovës në vitin 1998/1999, lobuan edhe për njohje në shumë vende të botës, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Kongresmeni Eliot Engel, në ditët më të vështira të Kosovës, për 30 vjet me radhë, ka punuar në anën e saj dhe të Shqipërisë. Sot nuk mund të gjesh ndonjë shqiptar të mirëfilltë që nuk e adhuron emrin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që i dha Kosovës për kaq vjet si kongresist. Ju kujtohet se me propozimin e tij, shumë rezoluta për Kosovën janë miratuar në Kongresin amerikan. E gjithë kjo edhe me lobimin e shqiptarëve të Amerikës, të cilët nuk u ndalën asnjëherë. 

Si njohu Engel, shqiptarët?

Në janar të vitit 1989 kur ky kishte marrë vendulësen në Kongres, Harry Bajraktari, veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiparo-amerikan, kishte rënë në kontakt me të.

Dy vjet më vonë, në vitin 1992, kur Engel zhvillonte fushatën zgjedhore për kongres nga Partia Demokratike në Neë York, botuesi i gazetës Illyra, Harry Bajraktari na mori të gjithë ne që punonim në redaksinë e kësaj gazete dhe shkuam në një ndërtesë në Bronx, ku ai fillonte fushatën për mandatin e dytë. Më sa më kujtohet, Bajraktari kishte sjellë aty mbi 20 shqiptarë të tjerë për ta ndihmuar që ky prapë të rimerrte karrigën në Capitol Hill. Mund të them se nga kjo kohë nisi njohja e tij me shqiptarë dhe interesimi për Kosovën. Që nga vitet e 90-ta, Harry gjithnjë qëndroi pas tij, ndërsa Eliot Engel pas Kosovës dhe shqitarëve në Ballkan.

Ai besonte në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ky ka shfaqur ineresim dhe mbështetje edhe për të drejtat komëtare të shqiptrëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. 

Si mirënjohje për ndihmën që i dha Kosovës, në një pullë postare sivjet u vendos foto-portreti tij. Edhe një rrugë në Pejë mban emrin "Eliot Engel". Kongresisti demokrat Engel, gjatë qëndrimit në Kosovë, hapi zyrën e fondacionit" Sfidat e Meliniumit" ku shtetit tonë, iu ndanë 49 milionë dollarësh grantesh.

Sa herë që Kongresisti amerikan Engel, pas luftës, ka udhëtuar për Kosovë, është pritur dhe percjellë përzemërsisht dhe është falënderuar e vlerësuar për gjithë atë që ka bërë për Kosovën dhe shqiptarët. 
"Puna ime për të promovuar sa më shumë raporte mes Kosovës dhe SHBA-së ka qenë ndër përpjekjet e mia më të rëndësishme që kam bërë për sa kohë që jam në Kongres", ka deklaruar ai në një rast.
***
Eliot Engel u lind në Bronx, NY, më 18 shkurt 1947. Ka përfunduar studimet në Universitetin e Neë York-ut për drejtësi dhe histori. Rrjedhë nga një familje hebraike me një traditë humanitare. Që nga mosha e hershme është inkuadruar në jetën publike e shtetërore në SHBA.
Në fillim ka shërbyer si asmblist në shtetin e Neë York-ut. Në vitin 1988 zgjidhet kongresmen i Bronxit nga Neë York-u në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit amerikan. Nga atëherë e deri më sot, për çdo dy vjet është rizgjedhur në këtë post. Herën e fundit ka fituar në vitin 2016. 
Meqenëse dje, më 26 qershor 2018, Engel fitoi bindshëm brenda Partisë së tij kundër tre kandidatëve që pati me 73 për qind, në nëntorin e sivjemë, kur do të mbahen zgjedhjet për Kongres nga republikanët nuk do të ketë kundërkandidat, të bindur se nuk do të mund ta sfidojnë. Gjasat janë të mëdha se në këto zgjedhje të nëntorit demokratët do ta kenë shumicën në Konkres, ndërsa Eliot Engel, do të jetë kryetar i demokratëve për marrëdhënie me jashtë në Dhomën e Përfaqesuesve të kongresit. Kjo do të jetë një gjë mjaft me interes për shqiptarët. 
Eliot Engel është i lidhur ngusht me Kosovën dhe Shqipërinë, një mik i pandashëm i shqiptarëve, i cili nga Kongresi amerikan vazhdon të jetë me ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat